Autobusë elektrikë/ Projekti edhe për ndriçimin e disa rrugëve në Tiranë

28/12/2020 15:26

Projekti për transformimin e transportit urban për zhvillimin e autobusëve elektrikë duket se po nis dalëngadalë zbatimin.

Agjencia për Eficiencën e Energjisë ka hapur tenderin për studimin e fizibilitetit mbi elektrifikimin e transportit urban dhe atë ndërqytetës me një fond limit prej 74 milionë lekësh.

Projekti pilot për testimin e teknologjive të reja të flotës elektrike është parashikuar të zbatohet me faza për zonat urbane të kryeqytetit dhe ato interurbane Tiranë-Durrës, Tiranë – Vlorë.

“Transporti urban ka padyshim një numër të lartë përdoruesish. Projekti synon kthimin e flotës aktuale të autobusëve me karburant në flotë elektrike. Kjo bën që automatikisht të kemi edhe një reduktim të emetimit të karbonit. Transporti urban ka nevojë për të bërë ndalesa të shpeshta dhe në kushte të tilla mund të bëjnë ndalesa për karikimin në kullat e karikimit që do vendosen”, shprehet Evis Berberi, Drejtor i Agjencisë së Eficiencës së Energjisë.

Paralelisht, ky dikaster ka shpallur procedurat tenderuese me një fond limit prej 12 milionë lekë edhe për ndriçimin e rrugëve përmes alternativave ekonomike dhe vendosjen e pikave të karikimit për makinat dhe autobusët elektrikë.

“Projekti i 2km Smart Road, i cili planifikon vendosjen e ndriçuesve të rinj inteligjentë dhe zëvendësimin e të vjetërve dhe vendosjen e kullave të karikimit në segmentin nga Vasil Shanto në Pallatin me Shigjeta. E gjithë kjo energji që do konsumohet nga këto kulla karikimi dhe nga ndriçuesit do të gjenerohet nga impiante që prodhimi energjie të cilat krijohen nga era apo nga dielli”, sqaron Berberi.

Deri në vitin 2030, Tirana pritet që ta transformojë tërësisht shërbimin e transportit publik duke bërë që 100% e autobusëve të jenë elektrik, teksa përpjekje po bëhen edhe për rinovimin e flotës së taksive në tërësish elektrike ose hibride që shkaktojnë më pak ndotje.

Top Channel