14 kg kokainë dhe 287 mijë euro në kamion/ Antidroga greke prangos shoferin shqiptar, lënda narkotike u ngarkua në Holandë

28/12/2020 12:28
Paratë e kokaina e sekuestruar

Departamenti i antidrogës greke ka arrestuar në portin e Patra-s një shtetas shqiptar, nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Sipas njoftimit të policisë greke,autoritetet kishin informacion për mbërritjen e sasisë së kokainës nëpërmjet tragetit të linjës Ankona-Patra. Efektivët gjetën në kabinën e kamionit që drejtohej prej shtetasit shqiptar, tashmë të arrestuar, 14 kilogramë kokainë të pastër, si dhe shumën 287 000 euro.

Sipas bluve grekë, lënda narkotike ishte ngarkuar në Holandë dhe po dërgohej në Likovrisi të Athinës, prej të arrestuarit, i cili konsiderohet si tranportues i lëndës narkotike.

Duket se organizata shqiptaro-greke e drogës, e përdorte kamionin me të cilin i arrestuari punonte si shofer, për të transportuar më lehtë sasitë e drogës që ajo shpërndante në kryeqytetin e vendit, Athinë.

Hetuesit po verifikojnë edhe për sasinë e parave të gjetura në kabinën e kamionit, pasi sipas tyre ka dyshime se një degë e fuqishme e organizatës ka aktivitet të ngjashëm në Holandë, vend nga ku dihet se kartelet e drogës kryejnë shpërndarjen e kokainës nëpër vendet e Evropës.

Top Channel