Florida njihet për plazhet e saj, por mbajtja pastër e tyre është një punë e vështirë. Në vazhdim një material për një grup vullnetarësh në Majami të Floridës që pastron plazhet e bukura që tërheqin miliona turistë nga mbarë bota.
Plazhet e qytetit Majami kanë qënë tradicionalisht destinacion tërheqës për turistët dhe banorët lokalë. Por mbajtja e tyre pastër dhe tërheqëse është një punë që shpesh i takon një grupi vullnetarësh të dedikuar. Maria Jose Algarra është themeluese e organizatës “Pastroje këtë plazh” , “Clean This Beach Up”. “Nuk duam një plazh të papastër. Unë dua që njerëzit të shijojnë Majamin e vërtetë, të bukur me detin e kaltër, jo vetëm për ne por edhe gjallesat. Prandaj e kaloj shumicën e kohës duke pastruar në vend të rrezitjes.”
Me origjinë nga Kolumbia, Maria u zhvendos në Majami nga Nju Jorku, u diplomua për juridik dhe filloi punën. Fundjavat ajo i kalon duke pastruar plazhin me miqtë e saj. Ajo e kuptoi se puna në ajrin e pastër i jepte më kënaqësi sesa kontratat ligjore në zyrë. Asaj i lindi ideja për të themeluar organizatën vullnetare “Clean This Beach Up”, që do të thotë pastroje këtë plazh. “Nuk doja të bëja një punë nga ora 9 deri në orën 5 që nuk më frymëzonte dhe nuk e kisha pasion. Kur zbulova atë që dëshiroja, që është kjo që bëj tani, e lashë punën dhe vendosa t’i përkushtohem drejtimit të organizatës ‘Clean This Beach Up’.”
Familja e saj e mbështeti vendimin e saj për të lënë punën me pagesë të lartë. “Në Kolumbi, nga vij unë, e shohin mbledhjen e plehrave si një punë të ndyrë. Por është gjëja më e dobishme. Tani e kuptojnë dhe ndihen vërtetë krenarë për mua.” Gjatë filmimeve nga Zëri i Amerikës, dhjetëra vullnetarë po ndihmojnë në pastrimin e plazhi. Janë qindra të tillë që dalin vullnetarë. Së bashku me ekipin esaj, ajo po përpiqet të tjetësojë pastrimin e plazheve në diçka festive. Aty ka muzikë, gjera për të ngrënë dhe veprimtari para pastrimit. Augusto Barbaran është vullnetar.
“Kur fillova të dal vullnetar, ajo ishte njeriu i parë që takova në këtë organizatë. Mendoj se pa atë, do të kisha dalë vullnetar aty-këtu, por tani marr pjesë pothuajse çdo javë.” Grupi tani ka mbi dy mijë vullnetarë që ndihmojnë në pastrimin e plehrave. Deri më tani ata kanë pastruar plazhet nga mbi 10 mijë kilogramë mbeturina./VOA
Top Channel