Ditë më parë, Komiteti Teknik mori vendimin të ndryshonte orën policore.
Nga sot, në orën 20:30, të gjithë duhet të jenë në banesat e tyre. Ky vendim nuk është pritur aspak mirë nga baret dhe restorantet. Dorian Plaku, punon si menaxher i një lokali. Ai thotë që pandemia ka përgjysmuar xhiron ditore në këtë aktivitet, ndërsa masat e reja kufizuese do ta detyrojnë atë që të shkurtojë stafin.
“Momentalisht unë kam 7 veta staf, që do të thotë se në orën 20:30 nuk kam pse ta mbaj në punë kamarierin, sepse mund të rri vetë tre orë. Njerëzit shkojnë në shtëpi në orën 5 sa të bëhen gati, shkon vonë, kështu që ata nuk do të dalin fare, për pasojë dhe unë nuk do të kem xhiro këtu në lokal”, sqaron Plaku.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Arbër Agalliu, qeveria duhet të përgjysmojë kostot e taksave që bizneset paguajnë në shtet.
“Ajo që biznesi duhet të pretendojë sot nga qeveria është reduktimi i kostove që paguan në buxhetin e shtetit. Nëse ne do të bëjmë një kalkulim të thjeshtë të detyrimeve që një biznes ka, po marrim vetëm detyrimet fikse. Një bar kafe në zonën e Tiranës nëse do të fusim pagat, kontributet, qiranë, energjinë elektrike, ujin, tvsh-në, tatimin në burim do të ketë një kosto rreth 5 mln lekë të vjetra. Dhe që të mbulohen këto kosto, biznesi do të duhet të bëjë një xhiro prej 15 mln lekësh të vjetra”, shpreht Agalliu.
Top Channel