Vendimi i qeverisë për të zgjatur orën policore nuk është mirëpritur nga sektori i bareve dhe restoranteve. Pronarët e tyre deklarojnë se mbyllja ne orën 20:30 e bizneseve është absurde pasi shume prej subjekteve janë në prag falimentimi shtojnë ata.
Në kushte të tilla ata paralajmërojnë edhe një formë të veçantë proteste duke nxjerrë jashtë karriget në shenjë revolte ndaj kufizimit të orarit.
Enri Jahaj, përfaqësues i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve:
“Paguajmë taksa e çdo tarifë tjetër dhe nuk kemi asnjë lehtësi. Do reagojmë padyshim ne një formë revolte ndaj këtyre masave që na prekin drejtpërdrejt. Do vendosim karriget nga data 24 atëherë kur hyjnë edhe masat në fuqi. Kemi një përgjysmim të xhiros. Edhe pse pa dashur kemi dërguar në shtëpi një pjesë të stafit ku ne kemi investuar, që s’kanë përfituar nga asnjëra paketë.”
Një vit më parë ky restorant bëhej gati të priste dhjetëra familjarë për festat e fundvitit, diçka që nuk do të ndodhë këtë vit për shkak të pandemisë.
Kujtim Dervishi, kryetar i shoqatës së restoranteve turistike :”Kemi pësuar padyshim një goditje të rëndë nga pandemia. Deri më tani kemi bërë shkurtim stafi e pagash sepse nuk ia dilnim dot. Prisnim turistë, prisnim emigrantët që te vinin sepse këtë periudhë 2-javore fundviti le të themi e mbanin gjallë ata. Me kufizimin e orarit tashmë duhet te bëhemi gati për mbyllje 1 orë para që stafi të mos kapërcejë orën policore.”
Përfaqësuesit e bareve e restoranteve kërkon lehtësi nga shteti në taksa e tarifa.
Kujtim Dervishi, kryetar i shoqatës së restoranteve turistike: “Qeveria duhet të marrë masa. Të paktën të kemi një reduktim të taksave, sidomos taksës së pronës. Ka biznese që paguajnë taksa e qira dhe nuk ushtrojnë aktivitetin, siç janë klubet e natës.”
Situatën e vështirë në terren për baret e restorantet e mbështesin edhe të dhënat zyrtare të Instat. Sipas tyre, bar-restorantet kanë realizuar 24.9% më pak xhiro se e njëjta periudhë e një vitit më parë, teksa raportojnë për një shkurtim të ndjeshme të rreth 24% të stafeve të tyre.
Top Channel