Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump paralajmëroi se nuk do ta nënshkruajë paketën financiare prej 892 miliardë dollarësh ndihme për koronavirusin, që përfshin fonde jetike për amerikanët, duke thënë se pagesat direkte të parashikuara në paketë, duhet të jenë më të larta.

Paralajmërimi i presidentit republikan në largim, të cilit i mbetet më pak se një muaj në detyrë, shkakton paqartësi për një përpjekje dypartiake në Kongres për të siguruar ndihmë për njerëzit, jeta e të cilëve është ndikuar rëndë nga pandemia.

“Paketa që po planifikojnë ta sjellin përsëri në tryezën time është shumë më ndryshe nga sa parashikohej.Është me të vërtetë e turpshme. Do t’i kërkoj Kongresit ta rrisë shumën qesharake nga 600 në 2000 dollarë për person ose 4.000 dollarë për çiftet”, u shpreh ai.

Presidenti Trump gjithashtu kritikoi pjesën e legjislacionit që parashikojnë fonde për vendet e huaja, Institutin Smithsonian dhe mbarështimin e peshkut, mes shpenzimeve të tjera.

“Unë kërkoj nga Kongresi që të eliminojë zërat shpërdoruese dhe të panevojshme nga ky legjislacion, dhe të më dërgojë një paketë të përshtatshme, përndryshe administrata tjetër do të duhet të dorëzojë një paketë për ndihmën për COVID-in. Dhe ndoshta ajo administratë do të drejtohet nga unë”.

Top Channel