Policia, me ndihmën e FNSH-së ka rinisur kërkimet për gjetjen e trupit të Jan Prengës, i cili u rrëmbye dhe u vra në muajin janar të këtij viti.

Mësohet se kërkimet për trupin e Jan Prengës janë përqendruar kryesisht në fshatin Pjezë të Shijakut, ndërkohë që për vrasjen e tij deri më tani janë arrestuar 6 persona.

Prenga u mor peng në zonën e Kamzës në Tiranë, dhe u mbajt peng për disa orë në një kompleks në zonën e Shijakut, dhe më pas u vra, ndërsa trupi i tij mban pezull vënien para drejtësisë të të gjithë autorëve.

Në prangat e Policisë, pas këqyrjes së kamerave në kompleksin “Golden” në Shijak ranë Leonard Hajri 36 vjeç, (i dënuar më parë), babai i tij Bajram Hajri 64 vjeç, kushëriri Elton Hajri 32 vjeç, një tjetër anëtar i familjes me inicialet F.Xh. dhe shoku i tyre Olsi Turja 36 vjeç, të gjithë banues në Shijak.

Në kërkim është shpallur nga policia vëllai i Leonardit, Altin Hajri, ky i fundit pronar i kompleksit “Golden” në Shijak, dhe që dyshohet se është edhe koka e të gjithë këtij ekzekutimi mafioz.

Autorët e futën Prengën në datën 17 janar, me dhunë në një makinë që rezultoi t’i ishte vjedhur një këngëtareje në zonën e Kombinatit, për ta çuar në kompleksin “Golden” pranë Xhafzotaj të Shijakut, në pronësi të tyre, një strukturë super luksoze.

Vdekja e pengut Jan Prenga 49-vjeçar konfirmohet nga policia e Shtetit pas analizimit të kamerave të sigurisë pranë kompleksit “Golden” dhe gjurmëve të gjakut të gjetura në vendin e rrëmbimit, por pavarësisht kërkimeve, ende nuk është gjetur trupi i pajetë i Prengës.

Ndërkohë që si shkak për ngjarjen duket të jenë bërë konfliktet për pazaret e drogës mes vëllait të Jan Prengës që jeton në Angli dhe vëllezërve Hajri. Pavarësisht kërkimeve, ende nuk ka gjurmë nga trupi i Prengës dhe asnjë prej autorëve nuk është zbërthyer para hetuesve.

Top Channel