Prokuroria Speciale do të shtojë numrin e prokurorëve. Rritja e numrit të dosjeve që kanë kaluar për hetim në këtë prokurori ka rritur ndjeshëm nevojën për më shumë staf, për të përballuar volumin e madh të dosjeve të krimit dhe korrupsionit.

Që në muajt e parë të vitit 2021, SPAK do të ketë 20 prokurorë nga 13 që ka aktualisht. Propozimi për shtimin e numrit të anëtarëve të SPAK-ut është bërë nga drejtuesi i Arben Kraja, i cili ka kërkuar edhe një opinion paraprak nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Ministri e Financave dhe Ministria e Drejtësisë. Këto institucione kanë mbështetur kërkesën e kreu të SPAK për shtimin e organikës.

Në bazë të këtyre opinioneve, kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, do t’i drejtohet Kuvendit, për miratimin e shtimit të numrit të prokurorëve. Vendimi do të jetë formal, pasi Kuvendi, në buxhetin e miratuar për SPAK për vitin 2021, ka përcaktuar fondin për prokurorët shtesë të strukturës kundër krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet.

SPAK ka nisur punën në vitin 2019 dhe sipas ligjit duhet të përbëhet nga 15 prokurorë, por sot kjo strukturë ka vetëm 13 prokurorë. Për dy prokurorë nuk ka përfunduar ende procedura e emërimit, pasi janë në proces vetingu. Me lëvizjen e fundit, SPAK-ut do t’i shtohen edhe 7 prokurorë, pesë të rinj dhe dy që janë në proces rekrutimi.

Ndërkaq ka edhe një propozim tjetër, për t’i hequr nga kompetenca SPAK-ut korrupsionin në nivelet e ulëta, siç janë disa raste të korruptimit të policëve rrugorë me 500 lekë. Propozimi është bërë nga vetë SPAK, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe faktorët ndërkombëtar, të cilët kërkojnë nga Kuvendi që të ndërhyjë në ligj.

Nëse Kuvendi do ndryshojë ligjin, kjo do të sillte një ulje të madhe të ngarkesës së SPAK-ut, për t’u fokusuar vetëm te korrupsioni dhe krimi në nivele të larta.

Top Channel