Nëse zgjedhjet do të ishin të dielën cilën parti do të zgjidhnin shqiptarët? Analisti Baton Haxhiu tha në Top Talk, pa hezitim se elektorati do të zgjidhte Partinë Socialiste dhe Edi Ramën.

“Padyshim Edi Rama, dhe PS dhe unë mendoj që ka dhe pak kohë për t’u përmirësuar. Nëse nga skena do largoheshin aktoret e tjerë, nëse do ishin vetëm Basha dhe Rama, mbase kjo do ndryshonte pak”, tha Baton Haxhiu në top Talk.

Në analizën e tij Baton Haxhiu tha se në këto momente Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta janë figurat që po ndihmojnë në fitoren e Edi Ramës, ose aleatët më të panatyrshëm të tij, siç i quajti ai.

Ai tha se Berisha dhe Meta po shkelin mbi figurën e Bashës si lider i opozitës duke e dobësuar këtë të fundit.

“Mos harroni se një pjesë e themeluesve, e liderëve të PD e kanë stigmatizuar figurën e Lulzim Bashës, duke përfshirë Topallin, Patozin pastaj edhe figura të tjera të cilat nuk kanë qenë të mëshirshme. Për faktin që një pjesë e elektoratit që kanë qenë të lidhura me këto figura, nuk kanë dëshirë që ta favorizojnë figurën e Bashës.

Një pjesë djathtas ekstreme, e cila është e moshës mbi 50 vjeç është e lidhur me Berishën dhe mbetet aty, rreziku më i madh i të djathtës.
Në këtë moment, nëse mund të themi, që aleatët më të të panatyrshëm të Edi Ramës janë Sali Berisha dhe Ilir Meta, dhe nëse figura e Bashës dobësohet, nuk dobësohet për fajin e Ramës dhe fushatës së tij kundër tij, por dobësohet për arsye se e kanë shkelur figurën e tij për një kohë të gjatë.

Dhe ende këta të dy, Meta dhe Berisha nuk lëshojnë hapësirë por bëjnë pengesën kryesore që Basha të jetë lider i opozitës . Këtu është problemi kryesor dhe unë mendoj që aleatë kryesor të Edi Ramës në këto zgjedhje janë dy figurat që në pamje të parë duken kundërshtuesit më të mëdhenj, por ata janë figurat të cilët i ndihmojnë procesit të fitores së Edi Ramës sepse nuk e lënë që lideri i opozitës të duket tamam lider.

Ajo që është shumë më rëndësi është që të dy liderët njëri i LSI, megjithëse President dhe tjetri i PD kanë një aleancë të çuditshme të diskursit kundër Edi Ramës dhe të gjithë të papërcaktuarit, që janë 34 përqind, dhe 28 të tjerë që janë 100 përqind të papërcaktuar kanë mos pëlqyeshmëri maksimale ndaj Metës dhe Berishës.”, tha Baton Haxhiu në Top Talk.

Top Channel