19 vjet që bënë historinë/ Revolucioni në media, në 20 dhjetor 2001 TCH nisi për herë të parë transmetimet

20/12/2020 12:10

19 vjet më parë, pas një pritshmërie 6 mujore, qytetarët shqiptarë ndoqën edicionin e parë të lajmeve në Top Channel. Lajmi i parë i edicionit të datës 20 dhjetor 2001 ishte denoncimi i një marrëveshjeje qeveritare që lejonte marrjen e rërës nga Gjiri i Gjipesë në bregdetin e Jonit, për ta dërguar në ishullin e Korfuzit.

Kjo ishte ideologjia që udhëhoqi në këto 19 vjet Top Channel. I pavarur, i drejtë, i lirë dhe në mbrojtje të interesave të vendit dhe njerëzve të thjeshtë.

19 vjet më parë, media elektronike ishte po ashtu siç ishte edhe vetë Shqipëria. E varfër në teknologji, e varfër në mendim dhe ide, jo profesionale dhe tërësisht informale. Por vendimi dhe idetë e një njeriu do ta ndryshonin këtë mjedis dhe do ta revolucionarizonin televizionin, duke e shndërruar në një gjenerator të zhvillimit dhe pararojë të shoqërisë.

Ishin vetëm 20 njerëz, kryesisht të rinj, ata që dëgjuan për herë të parë Dritan Hoxhën të fliste për një televizion të madh, në një ngrehinë ku nuk kishte asnjë pajisje e asnjë zyrë. Para se të instaloheshin aparaturat, të ndërtoheshin studiot dhe merrnin udhë programet që do të gozhdonin para ekranit miliona shqiptare anë e mbanë botës, Top Channel ishte ndërtuar në mendjen e Tanit, ashtu siç është sot.

Dritan Hoxha, themeluesi i Top Media

Top Channel nuk ishte thjeshtë një televizion. Ai krijoi modele që u ndoqën nga mediat e tjera për t’i rezistuar konkurencës. U krijua standardi teknologjik, duke sjellë në Shqipëri fjalën e fundit të prodhimit elektronik, u krijua standardi profesional, etik dhe moral në media. Këtu u thyen klishetë dhe u shtruan udhë të reja, përmes të cilave do të ecte në këto 19 vjet media televizive në tërësi, duke u bërë sot pararoja e zhvillimit të vendit.

Edicioni I lajmeve, u pasua shumë shpejt nga programe të reja që u shndërruan në institucione. Fiks Fare, Portokalli, Programet e posaçme muzikore u bënë trampolinat e talenteve të reja deri te Top Fest, festivali më i madh i muzikës moderne shqiptare.
Në një vend ku ende nuk kishin të gjithë televizor në shtëpi, Dritan Hoxha bëri hapin e madh të investimit, solli teknologjinë dixhitale, e cila sapo kishte prekur edhe Europën e zhvilluar.

Një aventurë ekonomike për gjithëkënd. Por guximi është virtyt i njerëzve të suksesshëm dhe suksesi nuk vonoi.

Parada e arritjeve është edhe më e gjatë. Pa asnjë dyshim, pa Top Channel dhe mendjen e Tanit, media e madje edhe vetë shoqëria në Shqipëri, nuk do të ishte kjo që është. Tani, jo vetëm ecte më shpejt se koha, por ai mendonte dhe punonte më shpejt se koha.

Top Channel