Ishte Carla Del Ponte,  prokurore në Tribunalin e Hagës për krime në  ish Jugosllavinë, ajo e cila për herë të parë në librin e saj me titull “Gjuetia-Unë dhe Kriminelët e Luftës”  lëshoi akuzat skandaloze për trafik organesh nga UCK,  në Shtëpinë e Verdhë në Burrel. 

Këto akuza të pabaza u amplifikuan nga bashkëshorti i saj senatori Dick Marty duke shërbyer shumë vite më pas për të ngritur Gjykatën Speciale në Kosovë ku sot janë të akuzuar 4 udhëheqës të UCK.  Hetimet në Shqipëri për Shtëpinë e Verdhë janë pjesë e verifikimit nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar.

Arben Dyla ish drejtues i prokurorisë të Matit në një intervistë për gazetarin e  Top Channel Muhamed Veliu , e kujton me detaje verifikimin e udhëhequr nga eksperti UNMIK  Johe Bayrabar në Shtëpinë e Verdhë në Shkurt 2004.

Muhamed Veliu: Prokuror si e kujtoni përfshirjen tuaj në verifikimet e ekipit të UNMIK në “Shtëpinë e Verdhë” në Burrel?

Arben Dyla: Më kujtohet që jam telefonuar nga Prokuroria e Përgjithshme, drejtoria e mardhënieve me jashtë e cila më tha se do të vinte një grup ekspertësh të UNMNIK-ut për një verifikim në territorin e Matit. Kërkohesh një verifikim për një banesë karakteristike shqiptare tip kulle, e cila dyshohej se kishte shërbyer si burg I UCK. Ka qenë viti 2004. Grupi i ekspertëve ka ardhur në mëngjes. Pasi janë sistemuar në hotel, më pas kemi vazhduar me programin që ata kishin, unë kam marrë masat për shoqërimin e ekspertëve. Përveç meje dhe një oficeri të policisë gjyqësore ishte edhe grupi i gatshëm i policisë të Matit.

Në bisedën paraprake që kam patur me përkthyesin e grupit të ekspertëve më është thënë që banesa që kërkohej ndodhesh në anën e majtë të rrjedhës së Matit dhe ishte një kullë. Për këtë arsye kemi vazhduar rrugën nga Burreli për në Klos. Kam ndaluar dy tre herë duke i treguar banesa karakteristike që ndodheshin në anën e majtë të rrjedhës së Matit.

Kam vënë re që grupi ekspertëve pasi shikonte me dylbi dhe verifikonte hartat dhe GPS-sat e tyre, kjo më krijoi dyshimin se ky grup kishte informacion të saktë për banesën. Për këtë arsye nuk kam ndaluar më në vend tjetër dhe kam vazhduar duke prirë autokolonën që përbëhej nga pesë automjete dhe në urën e fshatit Gurrë në lumin e Matit vazhdova drejt, ndërkohë që më jepet sinjal me drita, që nga automjeti i dytë i grupit të ekspertëve që duhet të kthehemi nga e djathta. Kështu vazhduam rrugën nga e djathta. Kemi shkuar deri në fundin e rrugës e cila që përkonte me oborrin e banesës të Abdulla Katucit.

Muhamed Veliu: Në kontaktin e parë që patët me ekspertët e UNMIK a ju treguan qëllimin se çfarë ata kërkonin?

Arben Dyla:Më është thënë që kërkohesh për të bërë një verifikim në një banesë e cila dyshohej se përdorej nga UCK si burg.

Muhamed Veliu: A ju thanë ekspertët e UNMIK se kishin dyshime që në atë banesë ishin bërë trafik organesh?

Arben Dyla: Jo. Unë për herë të parë me këtë dyshim jam vënë në dijeni pas publikimit të librit të zonjës Carla Del Ponte në vitin 2008 dhe pas publikimit të këtij libri kam përpiluar një informacion që ia kam nisur institucioneve më të larta të shtetit, Prokurorit të Përgjithshëm, Kryetares të Parlamentit dhe Presidentit të Republikës.

Muhamed Veliu: Le të ndalemi tek kontrolli shtëpisë. Cfarë u gjet?

Arben Dyla: Nga kontrolli në plehrat e banesës, që ishin në rrjedhën e një përroi në afërsi të banesës të Avdulla Katucit grupit të ekspertëve u tërhoqi vëmendjen një copë e bardhë najloni e fortë që ngritën dyshime që mund të ishte material që përdorej për veshjen e forcave ushtarake në luftë kimike. Ndërkohë që pyes gratë e shtëpisë dhe më thonë që është mbetje e një mbulese tavoline që përdorej më përpara në çdo familje shqiptare. Njëra pjesë është e plasitifikuar dhe pas konsumimit mbetesh pjesa e fortë e najlonit. Gjithashtu u tërhoqi vëmendjen 2 ose 3 flakon si ato të Penicilinës dhe këtë moment pyesin si ka mundësi që këto mbetje spitalore ndodhen pranë kësaj banese. Përsëri nga gratë e shtëpisë jemi vënë në dijeni se për shkak të mungesës të një qendre shëndetësore, të gjithë banorët e zonës marrin recetën nga mjeku për ilaçet në farmaci dhe vjen infermieri për tja injektuar në banesa. Këto dy gjëra u gjetën në pjesën e jashtme të banesës.

Më pas diku nga ora shtatë e mbrëmjes është bërë një ekzaminim në një nga dhomat ose më saktë ekzaminimi u bë në të gjithë banesën por në një nga dhomat kishte një rezultat nga ekspertët. Kjo dhomë u spërkat me Luminol dhe nga kontakti Luminolit siç më thanë ekspertët njollat e gjakut bëhen fosforeshente. Dhe në këtë banesë unë kam parë që kishte njolla fosforeshente.

Muhamed Veliu: Cili ishte shpjegimi të zotërve të shtëpisë për këto njolla gjaku?

Arben Dyla: Të zotën e shtëpisë na kanë thënë që kjo dhomë më përpara përdorej si ahur dhe thereshin bagëtitë dhe më pas në këtë dhomë ka patur edhe një lindje fëmije. Fakti lindjes së fëmijës për ekspertët ishte diçka shumë e çuditshme pasi si ka mundësi të lindë një fëmijë në shtëpi. Këto ishin shpjegimet e të zotëve të shtëpisë për këto njolla. Pyeta përsëri përse njollat fosforeshente mund të jenë edhe në faqet e murit. Më thanë se gjatë kohës kur është rikonstruktuar kjo dhomë, kur është përgatitur suvaja mund të jetë ngjitur dheu në pjesën e mureve.

Muhamed Veliu: A ka patur një tentativë nga ekspertët e UNMIK për të kryer c’varrosje në varrezat e fshatit Gurrë?

Arben Dyla: Një nga verifikimet që u bë gjatë ditës së parë ka qenë në varrezat e fshatit Gurrë. Janë varrezat e vjetra, ku janë disa gurë pra shenja e varrit është një gur.

Momentin që ne shkuam atje një grup i madh personash tërhoqi vëmendjen e pjesës më të madhe të fshatit dhe kanë ardhur shumë banorë aty. Kam pyetur banorët për secilin nga varret se i kujt është ky varr. Banorët më përgjigjeshin se ky varr është i varri filanit, filanit, filanit.

Njëri nga këta ekspertë që besoj se ishte Jose Bayrabar që ishte drejtuesi thotë se ekzaminimi më i saktë se kush është në këto varre është c’varrimi dhe analizat. U kam thënë që c’varrimi nuk bëhet në kuadër të verifikimit. C’varrimi bëhet në kuadër të një hetimi penal pasi edhe rregullat procedurale  janë shumë strikte në këtë pjesë. Kjo ishte i  gjithë debati i bërë në varreza.

Grupi ekspertëve nuk kishte mjete për të bërë c’varrimet pra kjo u hodh si ide që duhet bërë kjo. U thash që kjo bëhet në kuadër të hetimit penal. Deri atë moment nuk kisha asnjë dijeni që zotërinjtë kishin një hetim penal. Pra në territorin e Republikës së Shqipërisë ne s’kishim hetim penal asnjë të dhënë dhe kjo ishte një diskim.

Muhamed Veliu: Prokuror, a i keni lexuar konkluzionet e këtij grupi që ishin në Shtëpinë e Verdhë pasi ato janë publikuar?

Arben Dyla: Nuk i kam lexuar konkluzionet e këtij grupi ekspertësh. Unë nga media jam vënë në dijeni për rezultatet që prokurorët kanë marrë mbi verifikimet e kryera në Shtëpinë e Verdhë. Unë jam vënë në dijeni nga media që ata prokurorët e UNMIK-ut këto pretendime për Shtëpinë e Verdhë I kanë quajtur të pabaza. Fakti është që sot të gjithë komandantët e UCK-s më pas zyrtarë të shtetit të Kosovës, në akt akuzën e tyre nuk kanë asnjë rresht që i akuzon për Shtëpinë e Verdhë.

Muhamed Veliu: Sipas jush a duhet ti hiqet kjo njollë e zezë Shtëpisë së Verdhë?

Arben Dyla: Kjo pjesë që ju e konsideroni njollë e zezë për Shtëpinë e Verdhë kjo nuk është njollë e zezë për Shtëpinë e Verdhë është një njollë e zezë që kërkohet tu vihet shqiptarëve. Për aq kohë sa drejtësia ndërkombëtare e ka hedhur poshtë unë them që nuk ka më njollë të zezë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA