Policia greke shkatërroi një prej organizatave më të mëdha të prodhimit dhe kondrabandimit të cigareve në vend. Gjatë një operacioni në zonën industriale të Athinës 39 persona u arrestuan dhe 8 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan makineritë që përdoreshin për linjën e prodhimit të cigareve kontrabande, sasia prej 112 tonë duhan i grirë, 92 milionë cigare të gatshme për treg, 500 paleta me më shumë se 75 milionë etiketa të markave të ndryshme të cigareve, 23 trailera që përdoreshin për transportin e ngarkesave, 12 kamionë të markave dhe tonazheve të ndryshme, 9 autovetura dhe shuma prej 10500 eurosh.
Organizata kishte krijuar disa kompani guaskë dhe nëpërmjet faturave false dhe një rrjeti të komplikuar shtijesh, hidhte në tregun vendas dhe atë rajonal, sasi të mëdha cigaresh të falsifikuara të markave më të njohura botërore, vlera e të cilave kalon 19.5 milionë euro.
Për të transportuar cigaret e kondrabanduara përdoreshin kamionë me targa bullgare. Burimet policore i thanë TOP CH, se një pjesë e mirë e prodhimit të fabrikës, dërgohej në vendet e Ballkanit: Bullgari, Serbi, Shqipëri dhe Maqedoninë Veriut, por dhe në destinacione të tjera në Europë.
Top Channel