Prokurorët boshnjakë thanë të premten se do të hetojnë prejardhjen e dhuratës, të cilën udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, i ka bërë ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, gjatë qëndrimit të tij në Bosnjë këtë javë.
Ikona 300-vjeçare të cilën Dodik ia dhuroi Lavrovit mund të ishte kontrabanduar në mënyrë të paligjshme nga Ukraina lindore e shkatërruar nga lufta.
Ambasada e Ukrainës në Sarajevë ka ngritur shqetësime rreth artefaktit, pasi agjencia serbe e lajmeve Srna, në Bosnje, publikoi një fotografi të ikonës dhe vulën e saj të vërtetësisë, e cila sugjeron se ajo mund të ketë origjinën në qytetin e Lugansk, ku separatistët pro-rusë po luftojnë forcat e Kievit.
Dhjetëra serbë të Bosnjës kanë luftuar së bashku me rebelët në luftën në Ukrainën lindore, e cila filloi më 2014. Serbia dhe serbët e Bosnjës kanë lidhje të ngushta me Rusinë.
Millorad Dodik, përfaqësuesi serb në presidencën tre-anëtarëshe të Bosnjës, deri më tani ka refuzuar të komentojë mbi këtë çështje.
Ministria e jashtme e Ukrainës konfirmoi të premten se ambasada e saj në Sarajevë u kishte kërkuar autoriteteve boshnjake të siguronin “sqarime dhe informacion të plotë mbi rrethanat e kësaj çështjeje”.
Në një letër të botuar nga media boshnjake, ambasada e Ukrainës tha se dështimi për të dhënë informacion në lidhje me ikonën do të shihej si tregues i mbështetjes për “politikat agresive dhe veprimet ushtarake të Federatës Ruse në Ukrainë”.
Agjencia Reuters kërkoi nga ambasada një kopje të letrës ose detaje tjera për rastin, mirëpo nuk pranoi përgjigje./Rel/
Top Channel