Autoritetet e Kosovës konfirmuan se gjatë gërmimeve të bëra në varrezat e komunës së Rahovecit, janë gjetur mbetjet mortore të një personi.
Ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, në mëngjes kishte nisur gërmimet në vendin e caktuar.
Valon Hyseni, doktor në Institutin e Mjekësisë Ligjore nga terreni, e konfirmoi lajmin për Radion Evropa e Lirë. Ai tha se trupi i gjetur është i paidentifikuar dhe dërgohet në institut për analiza.
Sipas autoriteteve, trupi i gjetur është varrosur gjatë kohës së luftës në Kosovë nga forcat serbe.
Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, tha për Radion Evropa e Lirë se këto gërmime kanë nisur pas disa informacioneve dhe urdhëresës nga autoritetet e sistemit të drejtësisë.
“Këto punë po bëhen pas urdhëresës nga Prokuroria. Janë informata të cilat vijnë dhe i përpunojmë ne, dhe normalisht që ne jemi të detyruar që t’i kontrollojmë këto terrene”, tha Gërxhaliu.
Ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore do të vazhdojë sot gërmimet edhe në një lokacion në komunën e Prizrenit.
Kosova vazhdon t’i ketë 1,643 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga vitet 1998-‘99.
Top Channel