“Ia pagova borxhet me mish derri, por vazhdoi të më ofendonte! I zbraza një karikator në trup”, zbardhet dëshmia e autorit të vrasjes në Kuçovë

18/12/2020 12:45
Pamje nga vendngjarja

Zbardhet e plotë dëshmia e dhënë nga autori i vrasjes së 37-vjeçarit Ajet Gunelit në fshatin Goraj në qytetin e Kuçovës.

Autori Vangjel Polovina mësohet se e ka pranuar krimin, pas arrestimit nga policia dhe ka deklaruar të plotë versionin e tij të ngjarjes.

Ai tha se e gjitha nisi kur nuk kishte para për t’i paguar qiranë, ndërsa ia kishte likuiduar me mish, por përsëri viktima e kishte marrë në telefon duke e sharë. Në gjaknxehtësi ai kishte marrë kallashnikovin dhe kishte shkarkuar të gjithë karikatorin në trupin e tij.

“Unë i kisha marrë me qira Ajetit një stallë derrash në fshatin Perondi, ku edhe jetoj. Deri në vitin 2019 i kisha paguar rregullisht të gjitha detyrimet e qerasë, dritave dhe ujit të kësaj godine. Në vitin 2020 isha vonuar në disa muaj pagesash dhe kur erdhi Ajeti nga Anglia disa javë më parë më kërkoi të takoheshim. U takuam dhe pasi i thashë që nuk kisha lekë gjendje për ta paguar, ramë dakord që borxhin në lekë ta likuidoja me mish. Dy ditë para vrasjes,i kam dhënë Ajetit 46 kg mish, që korrespondonin në vlerë lekësh me borxhin që i kisha mbetur për 2 muaj e gjysmë qira. Unë mendova se u likuidua por Ajeti më mori në telefon një ditë më vonë, dmth natën para vrasjes. Unë nuk e kisha ndjerë telefonin dhe kur u zgjova në mëngjes e pashë që më kishte telefonuar dhe e mora mbrapsht. Sapo ma hapi telefonin, pa më lënë as ta përshëndes më ka sharë dhe më tha “do të vras, do të heq qafe”. Në këtë moment, kam hipur në mjetin tim “furgon” dhe në sendilen e pasagjerit vendosa kallashnikovin. Vajta tek lokali ku ai pinte kafen dhe pa zbritur nga makina i thirra për tu afruar. Ajeti, sapo më pa, më erdhi drejt me vrap duke më sharë dhe me një karrige në dorë për të më qëlluar, pa e ditur se unë kisha armë me vete”. Në këtë moment, kam dalë jashtë me armën në dorë dhe kam qëlluar një herë në ajër për tu shpërndarë personat e tjerë që ndodheshin në lokal. Ajeti filloi të bridhte me vrap dhe u rrëzua në tokë. Aty kam filluar të gjuaj me breshëri në drejtim të tij dhe pasi shkreha 1 karikator të tërë kallashnikovi u largova me furgon nga vendngjarja“, ka thënë në deklaratën e tij në polici,autori i krimit,41-vjeçari Vangjel Polovina.

Viktima e atentatit të djeshëm Ajet Guneli me armë zjarri në një lokal në fshatin Goraj të qytetin e Kuçovës rezulton të jetë ende në Morgun e Spitalit Rajonal të Beratit.

Sipas burimeve ai rezulton të jetë ende në Morgun e Spitalit Rajonal të Beratit edhe pse autopsia mjeko-ligjore mbi trupin e viktimës ka përfunduar rreth orës 14:00 të ditës së djeshme,në Morgun e Beratit nuk është paraqitur ende asnjë familjar për të tërhequr trupin e pajetë të 37-vjeçarit, Ajet Guneli.

Burime nga Morgu i Beratit konfirmojnë se janë në pritje të vëllezërve të viktimës, që janë nisur nga Greqia për të marrë vëllanë e tyre të vdekur.

Burime brenda Drejtorisë Vendore të Policisë Berat konfirmojnë se në vendngjarje janë gjetur 27 gëzhoja të së njëjtës armë kallashnikov, që është edhe arma e krimit.

Në trupin e viktimës ka pasur 20 plumba, 1  plumb në qafë, 2 plumba në bark dhe 17 plumba në gjymtyrët e poshtëm dhe si pasojë ka vdekur në vend.

Top Channel