Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së punës në Hungari, ka realizuar një takim me homologun e tij hungarez, Peter Szijjarto.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, në takim është biseduar për aktualitetet e fundit në Bashkimin Evropian (BE) të lidhura me integrimet evropiane të Maqedonisë së Veriut, si dhe temat e lidhura me bashkëpunimin e ndërsjellë dhe zhvillimin e raporteve bilaterale, me theks të veçantë në potencialet për avancimin e bashkëpunimit ekonomik.

Pas takimit, njofton ministria, kryediplomatët e dy vendeve u adresuan në një konferencë të përbashkët për media.

Osmani tha se vendi i tij e çmon mbështetjen parimore nga ana e Hungarisë si fqinj i drejtpërdrejt i rajonit, si dhe pozicionin e qartë të tyre për fillim të bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në pa asnjë anulim.

“Vendimet e djeshme në Bruksel dhe mossuksesi i Unionit edhe në tentimin e fundit të presidencës gjermane të formojë konsensus për kornizë negociuese, nuk janë në këtë drejtim dhe më lejoni të konstatoj se kjo përjetohet me zhgënjim të thellë në Maqedoninë e Veriut”, tha Osmani.

Ai shtoi se 25 vende anëtare kanë konfirmuar gatishmërinë e vendit për fillimin e bisedimeve.

“Në konkluzionet e djeshme të BE-së thuhet se vendet-kandidate duhet t’i vënë fund interpretimeve të gabueshme të historisë. Pajtohem, por vlerësoj se ‘elefanti në dhomë’ është më shumë si të pengohet interpretimi i gabueshëm i së tashmes dhe së ardhmes”, theksoi Osmani.

Ai iu referua Marrëveshjes për Shpërndarje të forcave të Frontex-it, që qëndron i bllokuar në organet e BE-së, për shkak kundërshtimit të Bullgarisë. Në këtë drejtim, Osmani theksoi se këtë sfidë Maqedonia e Veriut e ka lëvizur përmes marrëveshjeve bilaterale me vendet anëtare të BE-së, që sipas tij në mënyrë shtesë flet për autenticitetin e kursit evropian të vendit.

Më tej, në njoftim thuhet se dy ministrat iu referuan edhe raporteve të afërta tradicionale mes Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë, “të përforcuara nga marsi i këtij viti në frymën e partneritetit euroatlantik dhe aleancës”.

Në takim përskaj temave të shumta u nënshkruan edhe dy dokumente mes dy shteteve, respektivisht për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencës, si dhe për bashkëpunimin në pjesën e trajnimeve diplomatike mes dy Ministrive për Punë të Jashtme.

Gjatë kohës së takimit në Budapest, Osmani, do të realizojë takim edhe me Janos Bala dhe Janos Mate, këshilltarët për politikë të jashtme të kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Vizita në Hungari është pjesë e mini-turneut të ministrit në vizitën e vendeve anëtare të BE-së. Në kuadër të turneut, Osmani tashmë ka realizuar vizitë në Çeki dhe Rumuni, ndërkaq mini-turneun e mbaron më 21 dhjetor më vizitën e tij në Vjenë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA