Në foto: Djali i biznesmenit grek

Djali i një prej biznesmenëve më të mëdhenj në Greqi u arrestua sepse sulmoi dhe plagosi një shqiptar. Pavllos Petraq Misia u plagos në lagjen Peristeri të Athinës.

Sipas policisë greke, 32-vjeçari punonte në një dyqan shitje automjetesh, në kohën që pati një përballje verbale me djalin e biznesmenit grek, i cili fillimisht e ofendoi për origjinën e tij dhe në vazhdim e goditi me sende të forta dhe e plagosi në këmbë me një pistoletë, që e mbante pa leje.

32-vjeçari shqiptar mundi të shkojë vetë deri në një klinikë që ndodhet aty pranë, lëvizje që i shpëtoi atij jetën, pasi mjekët e klinikës arritën t’i ndalnin hemorragjinë.

Burime policore i thanë Top Channel se ishin banorët e lagjes, që e panë incidentin dhe njoftuan autoritetet. Ata mundën të dallojnë targën e automjetit me të cilën u larguan autorët.

Patrulla të policisë identifikuan makinën e autorëve dhe mundën të vënë në pranga autorin dhe shoqëruesin e tij, të dy shtetas grekë.

Policia thotë se autori i ngjarjes është person me precedentë penalë. Në të shkuarën ai është arrestuar për sulm ndaj policisë, por u lirua pak muaj më vonë, ndërsa është akuzuar edhe disa herë të tjera për sulme të dhunshme.

Top Channel