Në Gjirokastër, e vetmja atmosferë që lidhet me festat është dekori i fundvitit.

Përtej kësaj, bizneset janë më të stepura për të festuar e për të ofruar produkte. Furra 200-vjeçare e Premtos, më e njohura në pazarin e Gjirokastrës që tradicionalisht pjek bakllavatë dhe tavat e fundvitit, ende nuk e ka filluar këtë funksion festiv, madje as porositë nuk kanë qenë aktive gjatë dhjetorit.

“Këtë vit, atmosfera ndihet shumë e vakët, shumë e ftohtë, qoftë për pjekjet. Unë vjet në këtë kohë kisha filluar me bakllavatë dhe fillonin porositë që në datën 1, kësaj radhe as porosi dhe as pjekje. Deri tani asgjë. Ne thjesht e mbajmë hapur, sepse na vjen keq e për festa, furra duhet të jetë e hapur”.

Vizitorët janë të paktë në pazar, megjithatë ata shprehin interes për të vizituar çdo gjë lokale, që lidhet me traditën, madje edhe dhuratat synojnë të lidhen me atë çfarë prodhohet lokalisht.

“Shportat e dhuratave për Vitin e Ri njerëzit kanë filluar ti bëjnë me prodhimet vendase. Çdo vit e më shumë ka vëmendje për produktet lokale për shkak edhe të situatës. Sigurisht që ka një zbehje por ne po mundohemi ta nxisim shpirtin e festës, bëjmë zbukurime, shporta, edhe pazari duke qenë se është zbukuruar njerëzit vijnë edhe për foto.”

Përgjatë situatës së ngarkuar me infektime përgjatë muajit nëntor, Gjirokastra pësoi një rënie të numrit të të infektuarve në fillim të dhjetorit. Njerëzit priren që të shëtisin në grupe të vogla dhe tashmë i drejtohen pazarit më shumë për t’u fotografuar me dekorin e fundvitit sesa për tu ndalur në bare e restorante. Një pjesë e bizneseve janë përpjekur të gjejnë zgjidhje kreative për të ofruar shërbim tani në mjediset e jashtme e pavarësisht ditëve të ftohta, kjo është preferuar nga qytetarët.

Top Channel