Pemë të reja për Tiranën/ Mjeku Ilvi Begolli dhe moderatorja Bora Zemani i bashkohen nismës së Bashkisë së Tiranë

14/12/2020 15:32

Bora Zemani, moderatore e emisionit “Për’Puthen” në Top Channel dhe mjeku ortoped Ilvi Begolli, iu bashkuan iniciativës së përvitshme të Bashkisë së Tiranës në mbjelljen e pemëve. 

Bora dhe Dr. Ilvi zgjodhën që në ditën e lindjes së fëmijëve të tyre, krahas dhuratave, t’i dedikonin edhe mbjelljen e nga një peme.

“Është diçka e vogël, por nëse secili prej nesh do të bënte kaq, një mbjellje peme, vendi do të bëhej shpejt më i bukur, më i mirë. I themi shpesh këto shprehjet tipike se shqiptarët nuk bëhen. Jo, bëhemi!”- tha Bora.

“Të gjithë nga pak mund t’i shtojmë pemë jo vetëm parkut, por çdo pjese të qytetit,për ta bërë më të jetueshëm. Shpresoj të mos mblidhemi vetëm për ditëlindje, por edhe thjesht për të dhënë një mesazh”, tha Dr. Ilvi.

“Mund të mbahemi mend si njerëz që dhunuan, prishën dhe shkatërruan qytetin”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj, “ose mund të mbahemi mend si njerëz që ndërtuan, mbollën dhe e pastruan atë”.

“Shumica dërrmuese e këtij qyteti e do të bukurën, të pastrën, do më shumë oksigjen dhe pemë. E di që e dogjën pemën, por s’ka problem, do ta rregullojmë prapë dhe do t’i fillojmë sërish festat. Por, më e rëndësishme është që qyteti të vazhdojë jetën. Nëse dikush mundohet ta dhunojë atë për politikë, të fitojë pikë duke shkatërruar, nuk funksionon sepse shumica dërrmuese e qytetarëve nuk e do këtë”, u shpreh Veliaj.

Ecjen përpara të Tiranës thotë Erion Veliaj nuk mund ta ndalin një grusht  njerëzish që djegin dhe dhunojnë.

“Për hir të fëmijëve tanë, pas një javë shkatërrimi e dhune, sot është momenti të ringrihemi më të fortë, për të respektuar edhe shumicën e heshtur të qytetit, që nuk djeg, nuk dhunon dhe nuk bën zhurmë, por ama ka gjithë të drejtën e kësaj bote të ketë një qytet të pastër, funksional dhe të gjelbër”.

 

 

Top Channel