Një ndihmës drejtor i FBI-së doli në pension pas akuzave se kishte prekur një grua në shkallët e një ndërtese kur ishte i dehur. Një tjetër zyrtar i lartë i FBI-së u largua pasi u zbulua se kishte ngacmuar seksualisht tetë punonjëse.

Edhe një agjent i rangut të lartë të FBI-së doli në pension, i akuzuar se kishte shantazhuar një punonjëse të re, me të cilën më pas kishte patur kontakte seksuale.

Një hetim i Associated Press-it ka identifikuar të paktën gjashtë pretendime për sjellje të pahijshme seksuale që përfshijnë zyrtarë të lartë të FBI-së gjatë pesë viteve të fundit. Këtu hyjnë edhe dy padi të reja të ngritura këtë javë nga gratë që thonë se ishin sulmuar seksualisht nga agjentë të rangjeve të larta.

Ndaj zyrtarëve të akuzuar të FBI-së nuk duket të jenë marrë masa disiplinore, sipas fakteve të mbledhura nga AP. Disa prej tyre u transferuan ose dolën në pension pa bujë, duke ruajtur pensionin dhe përfitimet e plota, edhe kur hetimet vërtetuan pretendimet për sjellje të pahijshme seksuale kundër tyre.

Veç kësaj, zyrtarëve federalë të zbatimit të ligjit u jepet anonimat edhe pas përfundimit të procesit disiplinor, duke i lejuar ata të hyjnë në sektorin privat ose madje të vazhdojnë të punojnë në forcën ligjzbatuese.

“Atyre po u ruhet fshehtësia”, tha një ish-analiste e FBI-së, e cila pretendon në një padi të re federale se një agjent special e kishte ngacmuar seksualisht me duar gjatë një feste lamtumire për një koleg në vitin 2017. Përfundimisht, asaj iu desh të largohej nga FBI-ja dhe thotë se është diagnostikuar me simptomën e stresit pas-traumatik.

“FBI-ja e mban veten si organizata kryesore ligjzbatuese, prandaj është shumë zhgënjyese kur ata lejojnë njerëzit, që ata e dinë se kanë bërë krim, të dalin në pension dhe të vazhdojnë karrierën në sektorë që lidhen me zbatimin e ligjit”, tha gruaja, e cila kërkoi të identifikohet thjesht me emrin Becky.

Në analizën e AP nuk përfshihet numri në rritje i eprorëve të nivelit të lartë të FBI-së të cilët nuk i raportojnë marrëdhëniet romantike që mund të kenë patur me vartësit në vitet e fundit. Kjo i ka alarmuar hetuesit e Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm dhe ka ngritur pikëpyetje rreth praktikave të FBI-së.

Sjelljet e pahijshme seksuale që përsëriten kanë tërhequr vëmendjen e grupeve të Kongresit dhe organizatave për të drejtat e grave, të cilat kanë kërkuar mbrojtjen e punonjësve të FBI-së që sinjalizojnë për sjellje të tilla. Ato kanë bërë thirrje gjithashtu për ngritjen e një entiteti të jashtëm, i cili të shqyrtojë praktikat disiplinore brenda FBI-së.

“Ata kanë nevojë për një #MeToo,” tha anëtarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve nga Kalifornia, Jackie Speier, e cila ka qenë kritike ndaj trajtimit të grave brenda FBI-së, një agjenci e mbizotëruar nga meshkujt.

“Kjo është e neveritshme dhe nxjerr në pah faktin që FBI-ja dhe shumë prej institucioneve tona janë ende fole miqësish të vjetra të meshkujve,” tha zonja Speier. “Nuk më habit fakti që, sa i përket sulmeve dhe ngacmimeve seksuale, ato jetojnë ende në mesjetën e errët”, tha ajo.

Në një deklaratë, FBI-ja tha se “zbaton një politikë të tolerancës zero ndaj ngacmimit seksual” dhe se pretendimet kundër eprorëve kanë rezultuar në largimin e tyre ndërsa çështjet po vazhdojnë të hetohen dhe gjykohen.

FBI-ja shtoi se rastet e rënda mund të rezultojnë në akuza penale dhe se gjatë procesit të brendshëm disiplinor gjykohet, midis faktorëve të tjerë, “besueshmëria e akuzave, ashpërsia e sjelljes si dhe grada dhe pozita e individëve të përfshirë”.

Analiza e të dhënave gjyqësore nga ana e AP, raportet e Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm dhe intervistat me zyrtarë federalë ligjzbatues identifikuan të paktën gjashtë akuza kundër zyrtarëve të lartë, duke përfshirë një ndihmës drejtor dhe disa agjentë specialë.

FBI-ja, e cila ka më shumë se 35,000 punonjës, njihet për faktin që e ruan mjaft konfidencialitetin për akuza të tilla. Herën e fundit që Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm bëri një hetim të gjerë për sjellje të pahijshme seksuale brenda FBI-së, ajo nxori 343 “shkelje” mes viteve 2009 dhe 2012, duke përfshirë tre raste “filmime grash të zhveshura pa pëlqimin e tyre”.

Në një nga paditë e reja gjyqësore të paraqitura të mërkurën, një ish-punonjëse e FBI-së e identifikuar me emrin “Jane Doe” pretendon se në vitin 2016, një agjent special doli në pension pa asnjë masë disiplinore, madje hapi një kompani ligjore, edhe pse “e kishte burgosur, torturuar, ngacmuar dhe shantazhuar” atë për të patur kontakt seksual pa pëlqimin e saj. Ajo pretendon se në një rast ai e kishte detyruar të bënte seks në makinë. AP ka vendosur që, për të mbrojtur identitetin e gruas, të mos e publikojë emrin dhe vendndodhjen e agjentit special nën akuzë.

Ajo tha:“Është politikë dhe praktikë e FBI-së dhe e Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm të kësaj agjencie të lejojë daljen në pension pa bujë dhe pa ndjekje penale të drejtuesve të lartë që akuzohen për sulme seksuale.”

Ish-analistja Becky, i tha AP se ajo dikur besonte se “vlerat organizative dhe misioni i FBI-së përputheshin me mënyrën se si unë isha rritur.” Por më vonë ajo u bind se kishte menduar gabim dhe u raportoi eprorëve se Charles Dick, agjent special i rangut të lartë në Akademinë e Trajnimit të FBI-së e kishte sulmuar seksualisht në një festë lamtumire.

“Është shumë më lehtë të vuash brenda teje sesa të dalësh në publik”, tha ajo për AP. “Por nëse nuk e raportoj ngjarjen, bëhem bashkëpunëtore në mbulimin e institucionalizuar të këtyre lloj sjelljeve.”/VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA