Sot mbyllet faza e grupeve të Europa League ku do të jepen edhe verdiktet e fundit që do të plotësojnë kuadrin e 32 skuadrave të kualifikuara për në raundin tjetër, ku janë bashkuar edhe 8 skuadrat e vendeve të treta të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve.

Roma dhe Arsenali që tashmë janë kualifikuar si fitueset e grupeve respektive A dhe B do të luajnë respektivisht ndaj CSKA Sofje dhe Dundalk, dy ndeshje këto që do të jenë thjesht një formalitet pasi si skuadra bullgare ashtu edhe ajo irlandeze janë eliminuar. Situata më e komplikuar është ajo e Grupit F ku Napoli, Real Sociedad dhe Alkmaari janë në garë për t’u kualifikuar, ndërsa Rijeka është e eliminuar.

Napoli – Real Sociedad është ndeshja më e rëndësishme dhe më e ekuilibruar, ku skuadrës së Gattusos i duhet të mos gabojë ndaj spanjollëve për të arritur kualifikimin. Në Grupin H, Lille dhe Milan janë kualifikuar mes 32 në të mirëve të Europa League dhe do të mbyllin fazën e grupeve të kompeticionit me sfidat ndaj Spartës së Pragës dhe Celtic, dy ekipe që janë eliminuar përfundimisht, dy ndeshje këto ku do të përcaktohet vetëm se cila skuadër do të jetë fituese e grupit. në Grupin J, Tottenhami do të përballet me Antwerpin, në një ndeshje ku e vetmja dilemë është se kush do të sigurojë përfundimisht vendin e parë, pasi si skuadra e Mourinho-s, ashtu edhe ajo belge e kanë siguruar kualifikimin për në raundin tjetër të Europa League.

Sfidë interesante është edhe ajo mes Wolfsberger dhe Feyenoordit në Grupin K. Me Dinamon e Zagrebit që është fituese e grupit, skuadra holandeze dhe ajo austriake do të luajnë mes tyre për vendin e dytë me Feynoordit që i duhet të fitojë me çdo kusht të fitojë, ndërkohë që Wolfsberger ka në dispozicion 2 rezultate që do të thotë se i mjafton edhe barazimi për t’u kualifikuar.Ndeshjet e fundit të fazës së grupeve të Europa League do të luhen në 18:55 dhe 21:00 dhe do të transmetohen në platformën DigitAlb.

Top Channel