Bienalja e Mitrovicës/ Eventi që “mposhti” dy viruse

02/12/2020 17:08

Bienalja e parë ndërkombëtare e grafikës artistike, e organizuar në qytetin e ndarë të Mitrovicës, mbyll dyert pas thuajse një muaji gjatë të cilit mirëpriti ekspertë të fushës, aspirantë të rinj, dhe një publik, të cilit i kishte munguar një event i tillë.

Edicioni i parë “MitrovicaPrint 2020” kapërceu me sukses dy sfida: me pjesëmarrjen e gjerë dëshmoi dhe një herë qartë se arti tejkalon cdo ndasi, ndërsa me kujdesin e treguar, i bëri ballë edhe pandemisë së koronavirusit. I çelur në datën 5 nëntor në ambientet e Galerisë së Arteve, në Mitrovicë, Edicioni i Parë i Bienales Ndërkombëtare të Grafikës “MitrovicaPrint 2020”, u kurua nga artisti Tafil Peci Boletini, drejtor për Kulturën, Rininë dhe Sportet, e mbështetur nga Komuna e Mitrovicës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit te Kosoves.

Eventi përfundon në 30 nëntor. Edhe pse në kushte pandemie, në Bienale morën pjesë 60 artistë nga 15 shtete të botës, të cilët arritën t’i dërgojnë punimet e tyre në këtë aktivitet të rëndësishëm.

Por ndërsa e kapërceu me sukses koronavirusin, bienalja e pati pak më të vështirë me një tjetër virus: atë të politikës. Pavarësisht se kërkuan shumë që të ishin pjesë e saj, disa artistë të talentuar nga shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës si Spanja, nuk arritën dot t`i paraqisnin punimet e tyre . Zyrat postare ne vende te tilla nuk pranuan të dërgojnë pakot me punimet e artistëve në adresën e Bienales së Kosovës. Ky event përfaqëson praktikisht të vetmin aktivitet që zhvillohet për Grafikën Artistike Shqiptare. Duke ofruar mundësi të shumta për të gjithë, ai kapërceu dhe brezat, pasi solli si vepra të artistëve të njohur e të konsoliduar të kësaj fushe, ashtu edhe krijime të mjaft të rinjve te talentuar.

Juria e Bienales i ka ndarë tashmë çmimet e saj, duke i dhënë çmimin e parë artistit të njohur nga Kosova, Fatmir Krypa, të dytin Silvia Berruezo nga Argjentina dhe Agata Perzynski nga Polonia, ndërsa vendin e tretë e ndanë mes tyre Kalina Milanova nga Bullgaria dhe Shpend Bengu nga Shqipëria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA