Ditari “grek” i ambasadorit i ambasadorit shqiptar në Athinë nuk është thjesht një rrëfim për historinë e periudhës 1944-1990.
Nga ditari lexuesi mund të konstatojë elementët e vazhdimësisë që karakterizojnë politikën e jashtme të shtetit shqiptar ndaj një fqinji krejt të veçantë, e problematik, siç është Greqia, elementë që ndjekin trajektoren e hequr qysh në shek. XIX nga ideuesit e krijuesit e shtetit shqiptar, Pashko Vasa, Abdyl e Sami Frashëri dhe Ismail Qemali.
Ksenofon Nushi ishte përfaqësues i gjeneratës së diplomatëve që vinin nga betejat e Luftës Antifashiste, të cilët injektuan në shërbimin e jashtëm shqiptar frymën e idealizmit, patriotizmit, përgjegjshmërisë e përkushtimit, virtyte këto, që mjerisht ndeshen gjithnjë e më rrallë në institucionet tona. Kjo klasë diplomatësh ku, bashkë me Ksenofon Nushin, bënin pjesë edhe personalitete të tjera të shërbimit të jashtëm si Behar Shtylla, Reis Malile, Halim Budo, Javer Malo, Misto Treska, Mihal Prifti, Gac Mazi e të tjerë, ka bërë historinë e diplomacisë shqiptare të pasluftës.
Ditari i ambasadorit që botohet në katër vëllime nën titullin “Një miqësi e vështirë” është një rrëfim historik i saktë e i sinqertë i marrëdhënieve shqiptaro-greke… Abrogimi pa kusht i Ligjit të Luftës nga pala greke u bë kryefjala e çdo bisede formale e informale që ambasadori pati me qeveritarët e lartë grekë. Një lexues i interesuar, aq më tepër një historian, do të gjejë me siguri në këtë ditar lëndë të pasur dhe origjinale për të shkruar historinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke në fragmentin kohor 1982-1988. Aq më tepër, diplomatët e sotëm shqiptarë do të gjejnë në këtë ditar përgjigjen e shumë pikëpyetjeve që rëndojnë ende sot në marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjin e jugut.
(Marrë nga parathënie e librit, shkruar nga prof. Pëllumb Xhufi)
Të dhëna për librin
Titulli: Një miqësi e vështirë
(Ditar nga Athina i ambasadorit shqiptar: 1982-1988)
Autor: Ksenofon Nushi
Gjinia: Ditar
Përgatiti për botim: Gëzim Nushi
Korrektimi letrar: Emira dhe Xhelal Ylli
Redaktor: Naim Zoto
Botues: Naimi – Shtëpi botuese dhe studio letrare
ISBN: 978-9928-234-44-5
E drejta e botimit e rezervuar ©: Familja Nushi
Viti i botimit: Tiranë, 2020
Çmimi: 4000 lekë.
Top Channel