Dy ekspertë të lartë të Shteteve të Bashkuara për koronavirusin siguruan amerikanët se vaksinat kundër pandemisë së shpejti do të bëhen të disponueshme, por paralajmëruan që mosmarrja e masave paraprake kundër përhapjes së virusit para asaj kohe mund të jetë me pasoja katastrofike.

“Mendoj se do të kemi vaksina të mjaftueshme deri në fund të vitit për të imunizuar 20 milion amerikanë. Por populli amerikan duhet të bëjë atë që duhet derisa ajo vaksinë të jetë e shpërndarë gjerësisht”, tha për CNN Admirali Brett Giroir, kreu i testimeve për virusin në Shtëpinë e Bardhë.

Ai i cilësoi dy vaksina të mundshme, të cilat tani janë nën shqyrtimin e Administratës Amerikane për Ushqimin dhe Barnat, si “shpëtimtare për jetën”, duke shtuar se “kjo i jep fund pandemisë”. Ndërsa Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor për sëmundjet infektive në vend, tha se “ndihma po vjen” dhe se sasia fillestare e vaksinave mund të jetë e disponueshme nga mesi i dhjetorit.

Dr. Fauci tha se ekspertët e shëndetit “e kuptojnë lodhjen” e amerikanëve me masat për parandalimin e ekspozimit ndaj virusit. Por ai tha se mbajtja e maskave mbrojtëse dhe respektimi i distancimit fizik “kanë efekt”. Miliona amerikanë kufizuan grumbullimet e tyre tradicionale familjare për festën vjetore të Falënderimeve të enjten e kaluar, megjithatë miliona të tjerë injoruan paralajmërimet e ekspertëve të kujdesit shëndetësor kundër udhëtimeve për të vizituar të afërmit.

“Shqetësohem se e njëjta gjë” do të ndodhë me udhëtimin e njerëzve – me rrezikun e përhapjes së virusit – për vizitat e Krishtlindjeve me familjet e tyre, tha Fauci duke shtuar se grumbullimi i njerëzve paraqet “një rrezik të konsiderueshëm”. Vlerësimet vijnë ndërsa SHBA ka kapërcyer shifrën e 13 milionë rasteve të konfirmuara dhe më shumë se 266 mijë janë viktimat.

Top Channel