Shëndetësisë i shtohen 16 mln euro/ Shkurtohen shpenzimet për shumë institucione

30/11/2020 15:07

Emergjenca shëndetësore e Covid -19 ka detyruar Ministrinë e Financave të rishpërndajë sërish fondet buxhetore duke i orientuar ato në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Nga rialokimet e fundit këtij dikasteri i janë shtuar 2 miliardë lekë.

Sipas vendimit që ka hyrë tashmë në fuqi pas Botimit në Fletoren zyrtare, kjo shtesë fondi ekuivalente me 16 milionë euro do të shkojë më konkretisht për programin e “Përkujdesjes Sociale.”

Janë në total 16 ministri dhe institucione të tjera që janë prekur nga ky vendim me pakësim të fondeve për vitin 2020, duke ulur kryesisht shpenzimet për Kuvendin, Kryeministrinë, Ministrinë e Bujqësisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor si dhe Institutin e Statistikave.

Më shumë fonde buxhetore janë marrë nga Ministria e Mbrojtjes me 367 milionë lekë si dhe ajo e Financave përkatësisht me 355 milionë lekë, ku te kjo e fundit janë prekur menaxhimi i të ardhurave tatimore si dhe tregu i punës. Ndërsa, rishpërndarje janë bërë edhe brenda Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kryesisht në zërat e shërbimit të kujdesit dytësor dhe shërbimet e shëndetit publik.

Përballë situatës së përkeqësuar me pandeminë, ekzekutivi ka kërkuar ndihmë edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare për rritjen e kapaciteteve për trajtimin e të prekurve me Covid si dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Në Kuvend ka mbërritur edhe një marrëveshje për kredi mes qeverisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Një hua që arrin vlerën e 15 milionë euro dhe do të vihet në funksion për përballimin e pandemisë Covid-19 pas miratimit në parlament.

Top Channel