Nga 15 tetori kur hyri në fuqi akti normativ për mbajtjen e detyruar të maskës në rrugë e deri më sot, janë vendosur thuajse 19 000 gjoba në gjithë vendin, mesatarisht 600 në ditë.

Këto gjoba pritej të pasqyroheshin në faturat e energjisë elektrike që paguhen në nëntor, por OSHEE konfirmon se kjo nuk do të ndodhë më herët se muaji dhjetor ose janar. Për juristët, pagesa e një gjobe përmes faturës së OSHEE nuk është një hap kaq i thjeshtë, për shkak të disa ‘kleçkave’ ligjore.

Përmes whatsapp-it, thuajse përditë zyra e shtypit e Policisë së Shtetit shpërndan të dhënat e përditësuara mbi numrin e qytetarëve të penalizuar me masën administrative për shkeljen e aktit normativ, që detyron mbajtjen e maskës edhe në rrugë. Shifrat  raportohen në shkallë vendi dhe nga hyrja në fuqi e këtij akti, më 15 tetor, çdo ditë ndëshkohen mesatarisht 500 deri në 700 shtetas. Nëse shkelësi konstatohet për herë të parë pa maskë anti-covid, vlera e gjobës është 3 mijë lekë. Në rast se është përsëritës, gjoba është 5 mijë lekë. Në përditësimin e fundit, policia detajon se mes të gjobiturve që konstatohen në mjedise publike, pa barrierën mbrojtëse, ka edhe shtetas që refuzojnë t’i tregojnë patrullave dokumentin e identifikimit dhe për këtë reagim ata kanë përfunduar në komisariate.

“Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambjentet e policisë në të gjithë vendin, katër shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë policisë dokumentin e identifikimit. Pasi kanë paraqitur dokumentin, janë ndëshkuar me masën administrative 3 mijë lekë dhe më pas janë lënë të lirë”,  thotë zëdhënësi i Policisë së Shtetit Gent Mullai, në përditësimin  e të dhënave të datës 25 nëntor.

Fleta e gjobës për mosmbajtje të maskës

Por dokumenti i identifikimit, kryesisht kartë identiteti, konsiderohet i rëndësishëm për sa kohë aty gjenden të dhënat personale të domosdoshme për t’u mbajtur shënim dhe për t’u pasqyruar në procesverbalin e konstatimit të kundravajtjes administrative. Më pas, ky procesverbal i përcillet brenda 14 ditëve Furnizuesit të Shërbimit Universal FSHU sh.a / Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE)  që për rastet kur individi ka kontratë energjie i regjistrohet si gjobë në faturën e energjisë së muajit respektiv.

Zyrtarisht Policia e Shtetit tregon se nga data 15 tetor kur hyri në fuqi akti normativ për mbajtjen e detyrueshme të maskës, deri në datën 11 nëntor, policia në rang vendi ka prerë 18.638 gjoba për mosmbajtje të maskës. Nga këto, 15.397 gjoba janë vendosur nga forcat e rendit gjatë patrullimit, ndërsa pjesa tjetër prej 3241 personash, janë ndëshkuar nga policia rrugore dhe janë shtetas që qarkullonin në të njëjtin automjet dhe nuk mbanin maskë.

Fleta e gjobës për mosmbajtje të maskës

Në ndryshimet e aktit normativ për penalizimin e atyre që refuzojnë të mbajnë maskën anti-covid, caktohen si përgjegjës Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, kurse  ekzekutimi i gjobës i besohet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke u bazuar në procesverbalet policore që duhet të përmbajnë në çdo rast, identitetin e kundravajtësit, numrin e kartës së identifikimit dhe adresën e banimit.

Ardian Kola, drejtori për median pranë OSHEE, kujton se për rastet kur të dhënat janë të paplota apo shtetasi i gjobitur nuk është zotërues i kontratës së energjisë elektrike, procesverbalët kthehen pranë institucionit që ka vendosur gjobën. Por problemi më i madh është se si do të vilen këto gjoba.

Deri tani janë sjellë rreth 15 mijë procesverbale gjithsej, nga të dyja policitë (e rendit dhe bashkiake), prej të cilave, pas verifikimeve tona, rreth 2500 janë kthyer mbrapsht pasi të gjobiturit nuk janë zotërues të kontratës së energjise elektrike ose tek disa të tjera ka mangësi në plotësimin e procesverbalit. Nuk ka nisur ende ekzekutimi i gjobave, pasi jemi në fazë implementimi, përderisa jemi ende duke parë sistemin dhe duke qenë se do ndryshojë me elementë të rinj, kërkon kohë se si do të kryhet. Me ritmin që jemi, besojmë që duke patur parasysh që ka një proces për faturimin e energjisë si leximi i matësave dhe më pas hedhja në sistem, ne besojmë që këto gjoba do arrihet të shtohen si zëra në faturë mbase në muajin dhjetor apo në janar “, tha ai.

Fleta e gjobës për mosmbajtje të maskës

Por problemi më i madh është aspekti juridik dhe bashkangjitja në të njëjtën faturë si zëra të vetëm, nga njëra anë shpenzimet si energjia dhe nga ana tjetër gjoba. Juristi Roden Hoxha këmbëngul se shërbimi i energjisë elektrike apo i furnizimit me ujë të pijshëm përfshihet tek kontratat private civile dhe se është e pakonceptueshme që qeveria të ndërhyjë me akt normativ për bashkangjitjen e gjobave të tilla në faturimin e këtyre shërbimeve.

“Kontrata e lidhur për këto shërbime është një kontratë e vullnetshme mes palëve, e cila përmban detyrime dhe të drejta mes tyre. Pavarësisht se shteti në këtë rast është aksioner, ai nuk mund të ndërhyjë në mënyrë të njëanshme në përmbajtjen e kontratës. Për më tepër, këto dy fusha janë shërbime të mbuluara nga ligje specifike dhe të rregulluara nga ente rregullatore. Si praktikë, çdo ndryshim në kontratat TIP të ofruara për konsumatorin, duhet të miratohen nga këto ente” sugjeron Hoxha.

Skepticizmit të juristëve si zoti Hoxha, që është i shqetësuar edhe për çoroditjen që i shkaktohet qytetarit, nëse ai duhet ta kundërshtojë gjobën në faturën e energjisë elektrike, pranë një gjykatë civile, apo në gjykatën administrative ku kërkohen shfuqizimet e akteve si gjoba, i bashkohen edhe qytetarët e gjobitur. Aktivistja Elona Caslli, e gjobitur dy herë për mosmbajtje të maskës thotë prerë  se nuk i ka kundërshtuar gjobat në gjykatë, pasi e ka humbur besimin te ky sistem.

“Herën e parë që u gjobita, gjendesha në rrugen e Liceut Artistik. Ishte mbrëmje dhe po kthehesha në shtëpi. Fillimisht policët më njoftuan për vendosje të maskës nga makina, pastaj pas pesë minutash kthyen makinën dhe e gjeta veten të rrethuar nga pesë policë dhe me fletën e gjobës që mbante emrin tim. Në rastin e dytë gjoba kishte vlerën e pesëdhjetë mijë lekëve të vjetra, pasi kisha marrë herën e parë një gjobë prej tridhjetë mijë lekësh të vjetra. Në rastin e dytë po shkoja në punë dhe isha pranë Qendrës Spitalore Universitare “ Nënë Tereza”. Nuk kisha mjet identifikimi me vete dhe një police grua më tërhoqi me forcë dhe më futi në makinë. Pasi u shoqërova në komisariat nënshkrova gjobën. Nuk i jam drejtuar asnjë gjykate pasi nuk besoj në sistemin e drejtësisë në këtë vend. Gjoba nuk është ekzektuar ende. Shkeljet që vërejta ishin dhuna verbale dhe fizike e polices grua në rastin e dytë. Ishte nje shkelje e mirëfilltë e të drejtave të njeriut”,  thotë Caslli.

Gjoba ndaj aktivistes Elona Caslli

Menjëherë sapo policia u ngarkua të kontrollonte qytetarët dhe t’i gjobiste ata, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu shfrytëzoi një takim me të rinj, duke thënë se është e pamundur të kontrollohet çdo ambjent për të zbuluar nëse mbahet apo jo maska anti-covid.

“Çdo ditë, jo vetëm në qendrat e banuara, por edhe në zonat rurale, ka punonjës policie që kanë përgjegjësinë për një zonë të caktuar. Ne nuk pretendojmë që në çdo cep pallati, në çdo hyrje objekti apo rrugë, të ketë punonjës policie, sepse e kemi të pamundur fizikisht. Por organizimi është i kësaj natyre që në ato vende kur do të konstatohet, patjetër që veç këshillimit, do të marrim edhe masa penalizuese. Por unë shpresoj që qytetarët t’i binden thirrjes dhe do kenë vullnetin ta zbatojnë, se nuk është diçka që na privon në liritë e të drejtat e njeriut, apo në punën e përditshme”, u shpreh Veliu.

Ndërkohë, presidenti i republikës, Ilir Meta e ka konsideruar maskaradë përfshirjen e gjobës për maskën anti-covid në faturën e energjisë elektrike.

“Masat e marra nga ekspertët janë të mirëpritura, por akti që gjobit qytetarët për mosmbajtje maskash është një maskaradë, shkel në mënyrë flagrante liritë e qytetarëve, i kërcënon se mund t’i lerë pa drita deri në fund të dimrit, e shndërron OSHEE në instrument policor dhe elektoral, nuk është zgjidhje t’i lësh njerëzit pa drita, e kur të mos paguajnë dot fatura t’ju presësh dritat. OSHEE ka funksion të furnizojë me energji në mënyrë të pandërprerë, jo të presë dritat në rast se qytetarët nuk paguajnë gjobat. Akti ka qëllim dashakeqës, do të bëjë me precedentë penalë shqiptarët e të përfundojnë në dyert e prokurorisë dhe gjykatave. Qeveria të reflektojë, Kuvendi po ashtu ta ndryshojnë atë”.

Fleta e gjobës për mosmbajtje të maskës

Jo zyrtarisht numri i të gjobiturve ka mbërritur në 23 mijë qytetarë, ku kryesojnë  qytetet Tiranë,  Durrës, Fier, Vlorë. Në datën 4 nëntor, iu pre fletë-gjoba edhe kryetares së LSI Monika Kryemadhi dhe Floida Kërpaçit për një takim të zhvilluar në zonën e Kombinatit, ku policia këmbëngul se i konstatoi pa barrierën mbrojtëse. Të njëjtin fat pati edhe ish-deputeti Kastriot Islami.

Teksa shumë qytetarë në shkresa refuzojnë të firmosin procesverbalin e gjobitjes dhe në gjykatë nuk ka ende paditës, kushtet për mbajtjen e detyrueshme të maskës janë të qarta. Veç shtetasve mbi 11 vjeç, që urdhërohen ta mbajnë maskën gjatë gjithë ditës në ambiente publike,  në mjetet e transportit publik dhe jo publik, kur gjenden me persona të tjerë përveç drejtuesve të automjetit,  parashikohen edhe rastet përjashtimore kur lejohet mosmbajtja e maskës. Për shembull kur përdorimi dëmton shëndetin, gjatë ushtrimit të aktiviteteve sportive, apo në shtëpi me anëtarët e ngushtë të familjes.

 Fleta e gjobës për mosmbajtje të maskës

Sidoqoftë Shefja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico thekson se qytetarët që kanë probleme shëndetësore, të tilla si alergjitë, duhet të konsultohen herë pas here me mjekun, pasi në fund të ditës është e rëndësishme që të parandalohet infektimi me virusin Sars-Cov 2.

Por sa e ka ndaluar përhapjen e infeksionit vendosja me detyrim e maskës?

“Minimalisht kërkohen katër deri në gjashtë javë që të shikohet efekti i një mase. Në situatën aktuale ku transmetueshmëria e virusit është me intesitet të lartë, është e nevojshme të ketë kombinim të masave dhe intensitet të ndryshëm. Thënë kjo, mbajtja e maskës është shumë e rëndësishme, por është pjesë e paketës së masave të tjera që duhet të ndiqen me rigorozitet. Në kushtet e mungesës së trajtimeve specifike për Covid-19, mbajtja e maskës është një parakusht për të lehtësuar peshën e infeksionit nga kjo pandemi”, tha ajo.

Anila Hoxha

Top Channel