Në Belgjikë, një diplomat iranian dhe tre shtetas të tjerë iranianë dolën të premten në gjyq, sepse sipas prokurorëve, në vitin 2018 ishin përpjekur në bashkëpunim të kryenin sulm me lëndë plasëse në një tubim të Këshillit Kombëtar të Rezistencës Iraniane (NCRI) me qendër në Paris, një grup opozitar në mërgim.
Prokurorët belgë akuzuan diplomatin me qendër në Vjenë, Assadolah Assadi dhe iranianët e tjerë për komplotin kundër tubimit, ku folësi kryesor ishte avokati personal i Presidentit të SHBA Donald Trump, Rudy Giuliani.
Assadi u arrestua në Gjermani ndërsa ishte me pushime dhe iu dorëzua Belgjikës.
Ai refuzoi të paraqitej në ditën e parë të gjyqit në Antwerpen, duke pretenduar imunitet diplomatik përmes avokatit të tij.
Assadi ishte zyrtari i tretë më i lartë në ambasadën e Iranit në Vjenë dhe, sipas zyrtarëve francezë, ishte përgjegjës për çështjet e inteligjencës në Evropën Jugore.
Teherani ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat, duke thënë se pretendimet janë një manovër për të tërhequr vëmendje nga ana e Këshillit Kombëtar të Rezistencës Iraniane, të cilën Irani e quan grup terrorist.
Është hera e parë që një vend i Bashkimit Evropian gjykon një çështje për akuza terrorizmi, ku përfshihet një zyrtar i qeverisë iraniane./VOA/
Top Channel