Studimet gjatë pandemisë tregojnë se transmetimi i Covid 19-ës nga gruaja shtatzënë te fetusi, është shumë i ulët. Por edhe kur bebja lind pozitive ka një mbrojtje imunitare të mirë, për përballimin e komplikimeve.

“E kam marrë me shumë qetësi. Dhe këtë e transmetoj edhe te bebi. Unë jam me ditë për të lindur. Vizitat i kam bërë pak më të shpeshta te mjeku, që më ka ndjekur”, shprehet një grua shtatzënë.

“Imuniteti te femrat shtatzëna është më i ulët, pasi brenda vetes po rrit një qenie, që ka gjysmën e gjeneve të partnerit dhe gjysmën e gjeneve të saj. Trupi po krijon terrenin, për ta pranuar atë. Është gjetur që transmetimi nga nëna te foshnja, është te 2-3%, pra e ulët. Ajo që kemi vërejtur gjatë pandemisë, është se femrat kërkojnë vizita më të shpeshta, si fizikisht ashtu edhe përmes telefonave. Ne i këshillojmë të ruajnë qetësinë brenda vetes.
Gratë e prekura i trajtojmë me vitamina shtesë, por edhe me antibiotikë, që nuk dëmtojnë fetusin. Nëse infektimi ndodh në muajin e fundit, kur bebi është pjekur, ne e shpejtojmë ardhjen në jetë të tij, për të shpëtuar nënën dhe foshnjën. Në këtë pandemi, gruaja shtatzënë është në konsultë të vazhdueshme me gjinekologun dhe infeksionistin, nëse infektimi ka përparuar. Fatkeqësisht ka patur edhe fatalitete, por i këshillojmë gratë shtatzëna, me të vërejtur shenjat e para, të drejtohen te mjeku që ndjek shtatzëninë dhe mjeku i familjes”, shprehet Mirela Rista, Obstetër-Gjinekologe.

Top Channel