“S’ju ka dëmshpërblyer Edi Rama”, Fiks Fare zgjidh problemin e familjes që do i prishej shtëpia!

20/11/2020 21:00

Fiks Fare denoncoi veprimet e disa institucioneve qendrore lokale, të cilat në “bashkëpunim” me njëra tjetrën do të linin në rrugë të madhe një familje me 6 anëtarë në Kuçovë.

Në këtë qytet po ndërtohet Parku i Gjelbër, projekt i cili prek disa banesa të hipotekuara. Është miratuar VKM-ja për shpronësimin, por nuk është bërë akordimi i fondeve për këto familje. Megjithatë, Bashkia e Kuçovës i kërkonte kësaj familje që të largohej nga banesa, pa i dhënë fondin e akorduar.

Kryefamiljari, Altin Malaj, thotë se nuk është kundra projektit, por në adresë të tij i ka shkuar një shkresë që duhej të largoheshin në datën 6 nëntor. Dokumenti i kishte shkuar me postë në datën 3, dhe për 3 ditë duhej të largohej menjëherë. “Unë jam veti 6 në familje, me të moshuar dhe fëmijë. Ku të shkoj? Ka dalë një listë shpronësimi me vlera përkatëse me emrin tim dhe të gruas, po s’na kanë kaluar asnjë lekë. S’kam asnjë vend tjetër ku të shkoj, të më kalojnë lekët dhe largohem. Kam shkuar disa herë në Bashkinë Kuçovë po s’më kanë dhënë zgjidhje. Sot është data 6 dhe unë duhet të largohem nga banesa” tha ai për kamerën e Fiks Fare.

Altini, së bashku me bashkëshorten, kanë shkuar disa herë në Bashkinë Kuçovë të marrin zgjidhje, por deri në atë kohë nuk kishte rrugëdalje. “Prandaj iu drejtova Fiks Fare” tha ai, ndërsa Fiksi dokumentoi një takim mes Altinit dhe Drejtorit të Urbanistikës në Bashkinë Kuçovë. “Shpronësimin nuk e ka kaluar Edi Rama! Ta kalojë Edi Rama dhe ta kalojmë ty” i thotë drejtori. Madje, në bisedë e sipër ai pranon se ka marrë urdhër nga drejtuesit e Bashkisë Kuçovë që banesën e familjes Malaj ta nxjerrin 30 metra mangut. Për këtë fakt, drejtori disponon edhe një e-mail që ia kanë dërguar. “Nuk jam budallla unë, kam këto prova. Më kanë thënë nxirrja 30 metra minus” pohon ai.

Gazetarët e Fiks Fare shkuan në Bashkinë Kuçovë në datën 6 nëntor 2020, ditën kur familja Malaj duhet të dilte nga banesa dhe biseduan pikërisht me drejtorin e Urbanistikës, i cili tha se është në dijeni të problemit të familjes Malaj. Sipas tij, ka dalë një listë shpronësimi nga Ministria e Infrastrukturës, por deri në datën 6 nëntor nuk kishte kaluar fondi. Drejtori pohon se IMT i ka dërguar një letër në datë 3 nëntor për largim nga banesa në datë 6, por në momentin që s’kanë kaluar lekët afati do të shtyhet.

Premtoi se do të komunikojë me ministrinë për dëmshpërblimin e kësaj familje, madje do t’i kërkojë edhe IMT-së që të shtyjë afatin e largimit të kësaj familje, pasi nuk kanë se ku të shkojnë. Ai premton se familja do të largohet nga banesa kur të marrë lekët e shpronësimit. Disa ditë pas këtij premtimi, në zonën ku do ndërtohet Parku i Kuçovës, kanë shkuar disa fadroma të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Kuçovë dhe fadromat kanë filluar të prishin godinat. Ndërkohë, në “këmbë” ka mbetur vetëm shtëpia e familjes Malaj.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel