Pas akuzës së djeshme të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për fshehje të qëllimshme të numrave të qytetarëve që kanë ndërruar jetë nga Covid-19 ka ardhur një reagim nga Ministria e Shëndetësisë.
Në deklaratën për shtyp thuhet:
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale solidarizohet me mjekët e vijës së parë të frontit kundër Armikut të Padukshëm, të cilët gjenden qysh mbrëmë nën një akuzë jo vetëm të shëmtuar politike, por edhe të rrezikshme për bluzat e bardha. Akuza e lëshuar mbrëmë nga Kryetari i Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha, për fshehje të qëllimshme të numrave të qytetarëve që kanë ndërruar jetë, cënon rëndë dinjitetin e mjekëve tanë dhe nxit agresivitetin ndaj tyre, në një kohë kur ata janë aseti më i paçmueshëm që Shqipëria ka në përballjen me pandeminë. Eshtë e paimagjinueshme që ndërkohë që qeveria ka bërë gjithçka për paralizimin e burimeve të dhunës fizike ndaj mjekëve në këto vite, sot opozita ta stimulojë këtë dhunë me një akuzë të tillë e cila fajëson direkt ata, sepse janë mjekët dhe askush tjetër që përcaktojnë shkaqet e fataliteteve në kartelat mjekësore të pacientëve. Si mund të imagjinohet që të gjithë mjekët tanë të jenë të përfshirë në një manipulim që edhe ta parafytyrosh duhet një papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme, ndërkohë që ata kanë përgjegjësi njerëzore, profesionale dhe ligjore për çdo kartelë mjekësore?!”
Më tej vazhdon:
” MSHMS u shpreh keqardhjen më të madhe dhe mbështetjen më të fortë mjekëve të Shërbimit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të cilët e ngritën zërin për ta hedhur poshtë me forcën e dinjitetit të tyre akuzën e zotit Basha. Keqardhje sepse pasi janë gjendur në mënyrën më të pamerituar, përballë akuzave të pabazuara, të paargumentuara, dashakeqe në adresë të tyre, sot janë detyruar të bëjnë edhe një deklaratë publike në adresë të politikës, në vend se të paktën të mos sulmohen nga politika në misionin e tyre. Çdo humbje jete është një dhimbje e madhe jo vetëm për familjarët e të ndjerëve, por edhe për stafet tona mjekësore, të cilat punojnë çdo ditë, orë e pa orë, në luftë me vdekjen, për të shpëtuar çdo jetë njeriu. Por është jonjerëzore që politika të trazojë shpirtrat e lënduar të familjarëve që kanë humbur të dashurit e tyre, duke ngritur një dyshim kaq të rëndë për integritetin e mjekëve tanë”.
Për ta përmbyllur me:
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e rifton zotin Lulzim Basha dhe këdo tjetër për llogari të tij, që të vijë e të ballafaqojë me autoritetet shëndetësore çdo hamendje, përpara se sa të shpërndajë të tilla tymnaja toksike për shpirtrat e mendjet e qytetarëve.
Për sa na takon, ne do të vazhdojmë të komunikojmë me korrektësi dhe transparencë me qytetarët shqiptarë, siç kemi bërë që nga dita e parë e kësaj pandemie, çdo informacion të raportuar nga strukturat tona, duke kërkuar besim, mirëkuptim, durim në kushtet e kësaj lufte kaq sfiduese për mbarë globin”.
Top Channel