Kramp-Karrenbauer: SHBA, NATO ende të nevojshme për sigurinë e Evropës

18/11/2020 03:27

Ministrja gjermane e mbrojtjes tha të martën se ndërsa Gjermania dhe Evropa duhet të bëjnë më shumë për sigurinë e tyre, ajo beson se ato nuk do të jenë në gjendje të ruajnë sigurinë e tyre pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për dekadat e ardhshme.

Duke folur të martën në një universitet ushtarak gjerman në Hamburg, Annegret Kramp-Karrenbauer tha se ajo pajtohet me qëllimin për një strategji evropiane autonome, por beson se koncepti “shkon shumë larg nëse ushqen iluzionin se ne mund të garantojmë sigurinë, stabilitetin dhe begatinë e Evropës pa NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara.”

Në fjalimin e saj, ministrja e mbrojtjes tha se Gjermania ka qenë gjithmonë e varur nga aleatët e saj për “lirinë, paqen dhe një jetë të mirë për njerëzit në vendin tonë”. Ajo shtoi se “pa aftësitë bërthamore dhe konvencionale të Amerikës, Gjermania dhe Evropa nuk mund të mbrojnë veten e tyre. Këto janë fakte të qarta”.

Presidenti francez Emmanuel Macron kohët e fundit këmbënguli që ndryshimi i administratave në Shtetet e Bashkuara duhet të përdoret si një mundësi për të ndjekur pavarësinë strategjike të Evropës, e jo një kthim mbrapa nga ky synim.

Dyshimet mbi të ardhmen e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore u nxitën në vitet e fundit nga kritika e ashpër e Presidentit Donald Trump ndaj Gjermanisë dhe aleatëve të tjerë të NATO-s për shpenzimet e tyre të ulëta të mbrojtjes. Aleatët evropianë, Franca në veçanti, kanë thënë se ishte një shenjë që Evropa duhej të mbronte më shumë sigurinë e vet.

Kramp-Karrenbauer tha se ajo është dakord me këtë, duke vënë në dukje se Gjermania dhe Franca duhet të jenë në gjendje të veprojnë në mënyrë autonome dhe efektive, dhe “një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara në një nivel të barabartë dhe jo një rajon që ka nevojë për ndihmë”.

“Vetëm nëse ne e marrim seriozisht sigurinë tonë, Amerika do ta bëjë këtë”, tha ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA