Komisioni i Ligjeve rrëzon dekretin e Metës, zëdhënësi i presidentit: Nën presionin politik, humbi dhe grimcat e fundit të profesionalizmit

18/11/2020 14:19
Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi

Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi ka reaguar pasi Komisioni i Ligjeve rrëzoi dekretin e Metës.

Ai thotë se Komisioni i Ligjeve ka kohë, që shfaq shenja të humbjes së qetësisë dhe durimit, ndërsa sot nën presionin politik, humbi dhe grimcat e fundit të etikës dhe profesionalizmit, që duhet të tregojë. Blushi thekson se askush nuk do mundet dot të prekë votën e referendumit të 25 prillit 2021, pavarësisht manovrave të fëlliqura politike nga Rilindja.

Postimi i Tedi Blushit:

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ka shqyrtuar sot Dekretin e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, nr.11812, datë 5.11.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 130/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 10129, datë 11.5.2009, ‘Për gjendjen civile’, të ndryshuar””.

Komisioni i Ligjeve ka kohë, që shfaq shenja të humbjes së qetësisë dhe durimit, ndërsa sot nën presionin politik, humbi dhe grimcat e fundit të etikës dhe profesionalizmit, që duhet të tregojë, kur me votat e tij cakton ligjet e këtij vendi.

U duk qartë që Komisioni i Ligjeve nuk donte të humbiste asnjë minutë kohë për të përmbushur qëllimin politik të Rilindjes për deformimin e listave të zgjedhësve dhe shtrembërimin e votës së lirë.

Ligji, që Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend, nuk synon heqjen e gjobave për shtetasit, të cilët nuk deklarojnë banesën, por synon të krijojë hapësirë për deformimin në çdo kohë të listave të zgjedhësve dhe shpërndarjes së mandateve në çdo Qark.

Presidenti Meta, përmes Dekretit të Tij, i rekomandoi Kuvendit të falte të gjitha gjobat e gjeneruara nga mosdeklarimi në kohë i vendbanimit të ndryshuar, duke ruajtur njëkohësisht qëndrueshmërinë e ligjit dhe detyrimin e qytetarëve për të deklaruar çdo ndryshim në kohë.

Por ky rekomandim, i njëjtë me zgjidhje të ngjashme që vetë Qeveria dhe Kuvendi kanë ndërmarrë në fusha të tjera, u hodh poshtë, dhe Komisioni për Çështjet Ligjore nxitoi aq shumë, sa u hoqi të drejtën e fjalës përfaqësuesve të Presidentit të Republikës në dhënien e argumenteve ligjore të kërkuara dhe të vëna në dyshim nga relatorja e ligjit, deputetja Vasilika Hysi. Ky është qëndrim vijues i Kuvendit njëpartiak, veçanërisht pas miratimit të njëanshëm të ndryshimeve në Kushtetutë në 30 korrik dhe Kodin Zgjedhor në 5 tetor.

Presidenti i Republikës i bën thirrje deputetëve të Kuvendit njëpartiak të reflektojnë në seancë plenare dhe të mos pranojnë cenimin e së drejtës së votës të qytetarëve, por të miratojnë Dekretin.

I ftojmë edhe njëherë deputetët e Kuvendit njëpartiak, të cilët mund të mos jenë njohur me Dekretin e Presidentit, të lexojnë me shumë kujdes arsyet legjitime që ka ngritur Presidenti i Republikës për kthimin e ligjit.

https://president.al/presidenti-meta-dekreton-kthimin…/

Garantojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë se, pavarësisht manovrave të fëlliqura politike, askush nuk do mundet dot të prekë votën e lirë në referendumin e 25 prillit 2021 dhe se kushdo, i cili do marrë guximin të ndërmarrë një marrëzi të tillë, do marrë një përgjigje të menjëhershme dhe më shembullore të mundshme, që as në ëndrrën e tij më të keqe, nuk e ka parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA