Kryeministri austriak Sebastian Kurz kërkon dënime për “islamin politik“.

Por me këtë ai i bën të dyshuar të gjithë myslimanët, që as nuk janë radikalë e as të dhunshëm. Në luftën kundër islamizmit kjo nuk të ndihmon, thotë për “DW” opinionisti Waslat Hasrat-Nazimi. Shamia e kokës, shoqëritë paralele, mësimi i notit, minareja- këto janë tema që diskutohen rregullisht. Kështu ne gjendemi në një rreth vicioz, sepse politika ende edhe sot nuk e ka gjetur zgjidhjen për “çështjen e islamit”.

Nëse ndodh një akt terrorist i tmerrshëm, theksohet menjëherë nevoja e diskutimit, gjatë të cilit tregohen me gisht myslimanët, pastaj kalon një kohë, kjo temë zbehet, deri sa historia fillon nga e para në një moment tjetër, shprehet Nazimi. Studiuesit e islamit si edhe një sërë organizatash islame dhe shoqatash përpiqen prej vitesh të zhvillojnë një debat konstruktiv për islamin. Por në vend që t’u vihet veshi atyre, politika humbet nëpër deklarata boshe dhe sipërfaqësore ose u bën temena partive djathtiste. Prandaj nuk është e habitshme, që nocione si “islami politik”, “xhihadizmi” apo “fundamentalizmi” përdoren si sinonime, megjithëse nuk janë të tilla, shprehet ai teksa kujton se në të gjithë botën janë më shumë myslimanët viktima të atentateve islamiste.

Lufta kundër islamizmit është për këtë arsye një luftë e përbashkët e myslimanëve dhe jo-myslimanëve. Për këtë është e rëndësishme që të dyja palët të komunikojnë dhe të afrohen me njëra-tjetrën, shprehet ai, duke i mëshuar idesë se pikërisht përçarja në shoqëri, ku shumica janë myslimanë liberalë po bën që të shtohet fuqia e islamistëve dhe po u çon të rinjtë tek ata.

Top Channel