Reforma në Drejtësi nuk ka dhënë efektet e pritshme në luftën kundër korrupsionit. Ky është thelbi i raportit më të fundit të BERZH për Shqipërinë.

Raporti i fundit i tranzicionit i Bankës Europiane për Rimdërtim dhe Zhvillim , i cili këtë vit është përqendruar në rëndësinë që ka roli i shtetit për shkak të krizës së Covid-19, konstaton se treguesit e mirëqeverisjes në vend janë përkeqësuar, po ashtu dhe eficienca e gjyqësorit dhe perceptimi i korrupsionit dhe stabilitetit politik.

Pikët renditen nga 1 në 10, ku 10 përfaqëson nivelin më të lartë që i korrespondon standardeve të një ekonomie të qëndrueshme tregu.

Sipas vlerësimit të BERZH, pikëzimi për mirëqeverisjen e Shqipëria ra nga 5.16 në vitin 2019, në 4.5 në 2020, duke qenë vendi i dytë me qeverisjen më të keqe në Europen Juglindore, pas Bosnjë Hercegovinës.

“Pikët kanë rënë në Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Mongoli, Maqedoni e Veriut dhe Poloni, si rrjedhojë e përkeqësimit të treguesve që masin efektivitetin e gjykatave, informalitetin, perceptimin e korrupsionit dhe kuadrin për zbatimin e rregullave”, thuhet në raport.

Krahas mirëqeverisjes, Shqipëria paraqitet më dobët se rajoni edhe në ekonominë e gjelbër, gjithë përfshirjen dhe rezistencën, ndërsa është afër mesatares rajonale për konkurrueshmërinë dhe integrimin.

Sipas raportit, gjatë periudhës 2016-20, rezultatet për efektivitetin e gjykatave dhe pavarësinë e gjyqësorit kanë rënë në shumë vende. Në të kundërt, rezultatet për qeverisjen elektronike, mbrojtja e të drejtave të pronës dhe zbatimi i kontratave janë përmirësuar në përgjithësi.

Shumë vende kanë vazhduar të ecin përpara me reformat në lidhje me qeverisjen, veçanërisht në lidhje me politikat anti-korrupsion, përputhjen me standardet e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, qeverisjen e ndërmarrjeve shtetërore dhe dixhitalizimin e shërbimeve qeveritare.

Top Channel