Shtyhet regjistrimi i popullsisë/ Për shkak të pandemisë procesi do të zhvillohet në tetor 2022

11/11/2020 19:53

Shtyhet për në tetorin e vitit 2022 Censi për regjistrimin e popullsisë dhe banesave.

Drejtoresha e Instat Elsa Dhuli, ka shpjeguar në Komisionin e Ekonomisë i cili miratoi projektligjin në fjalë se shtyrja me dy vjet e këtij ka ardhur për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit, situatës së krijuar nga pandemia për shkak të pamundësisë për të zhvilluar vizitat derë më derë si dhe zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

“Situata e krijuar nga tërmeti, pandemia dhe zgjedhjet që do të zhvillohen vitin e ardhshëm, por edhe problematikat e hasura gjatë kryerjes së pilotit në vitet 2018 – 2019 janë elementë që na detyrojnë të shtyjmë zhvillimin e censit për në tetorin e vitit 2022.”

Kostoja për zbatimin e këtij procesi i cili ishte parashikuar të kryhej gjatë këtij viti arrin në 16.5 milionë euro, ku gjysma do të mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër nga donatorët e huaj.

Edhe në këtë cens, feja dhe etnia që janë cilësuar edhe si dy ndër çështjet më të nxehta, do të jenë pjesë e pyetjeve me dëshirë.

Ky është censi i tretë që zbaton Shqipëria, pas atij të zhvilluar në 2001 dhe më pas në vitin 2011.

Top Channel