Kur jemi pak muaj larg zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit, partitë kryesore politike në vend kanë nisur takimet elektorale.

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, tha në “Top Talk”, se mazhoranca i ka ditët e numëruara, e sipas tij, nuk fiton në zgjedhjet e 25 prillit. Ai nuk e hodhi poshtë mundësinë që LSI të dalë si forcë e vetme në zgjedhje, duke shtuar se të gjithë hipotezat janë në tavolinë dhe po bëhen kalkulimet e nevojshme. Mbi të gjitha, synimi sipas Ramës është rrëzimi nga pushteti i kësaj mazhorance qeverisëse.

Denis Dyrnjaja: Po flitet shumë në qarqet politike, mediatike, që mund të ketë një koalicion më vete LSI-ja? Është kjo një mundësi politike?

Luan Rama: Çdo funksion, çdo mundësi, është e hapur në funksion të kalkulimit për të maskimalizuar votën e çdo qytetari. Me qëllim që gjithë ajo vlerë votash, edhe sot e mbledhur aritmetikisht është mazhorancë në Shqipëri, të mund të kthehet në mazhorancë qeverisëse më 25 prill.

Denis Dyrnjaja: Duke pasur parasysh që ju thoni janë të gjithë skenarët në tryezë, që nënkupton që mund të dilni edhe në një koalicion më vete, natyrshëm, besoj që këtu do të shkoni.

Luan Rama: LSI-ja edhe në vitin 2017 ka konkurruar e vetme, pa pasur asnjë kompleks prej sistemit dhe luftës që na është bërë dhe rezultati ka qenë spektakolar, pikërisht për shkak të natyrës realiste dhe transparente me të cilën ne zhvillojmë fushatën dhe komunikimin me qytetarët.

Denis Dyrnjaja: Cilët nga aleatët sot, që janë në grupin opozitar, janë më pranë jush?

Luan Rama: Jo vetëm aleatët më afër nesh janë edhe shumica e qytetarëve shqiptar, madje madje më lejo ta them me shumë vërtetësi, pranë nesh janë edhe shumica e socialistëve shqiptar që e gjejnë veten të diskriminuar dhe përjashtuar nga modeli korruptiv i qeverisjes. Korruptive edhe brenda strukturave të Partisë Socialiste.

Denis Dyrnjaja: Zonja Kryemadhi thotë në publik që Partia Socialiste do të dalë e katërta në këto zgjedhje. Po LSI-ja çfarë vendi do të ketë?

Luan Rama: Sfida e të gjithë neve është që më së pari të largohet kjo klik qeverisëse nga pushteti dhe për të rikthyer demokracinë në dimensionin real të funksionimin të saj në shoqërinë shqiptare dhe për të rikthyer kushtetutshmërinë dhe legjitimitetin e institucioneve të gjithë vendit që janë kapur e po kapen. Përpjekja që po bën tani kjo që ka mbetur nga mazhoranca për të hartuar një ligj për presidentin, s’është gjë tjetër vetëm se dëshmi e dëshpërimit dhe gjurma e radhës e puçit kushtetues që këto po bëjnë. Partia Socialiste e dinë që nuk do të fitojë më, edhe po bën kalkulime edhe duke bërë puç kushtetues me synimin se mund të shpëtojë. Por të jeni i sigurt, nuk ka shpëtuar në asnjë vend tjetër, e as nuk ka për të shpëtuar në Shqipëri, cilido që vë dorë mbi parimet kushtetuese dhe që kryen veprime tipike të puçit kushtetues.

Top Channel