Për herë të parë, vendi ynë do të ketë një regjistër të posaçëm për pronat e sekuestruara dhe konfiskuara nga aktivitetet kriminale.

Të dhënat e pronave do të hidhen në mënyrë elektronike në regjistër, nga administratori i pasurisë.

Kjo platformë do të përmbajë të dhëna të tilla si: Emërtimi dhe lloji i pasurisë, subjekti apo individi që e ka pasur atë pronësi si edhe statusi i pronës. Vendimi i qeverisë i datës 28 tetor, gjithashtu parashikon që në regjistër të shënohet edhe vlera e përafërt e pasurisë.

Më herët, këto të dhëna kanë qenë të shpërndara, ndërmjet sektorit të parandalimit të pastrimit të parave, gjykatës, si dhe agjencisë që ka funksionuar në bazë të ligjit antimafia, por tashmë do të jenë në një.

Pas sekuestrimit të pronës, të dhënat do të hidhen në vazhdimësi, që nga momentin i marrjes në administrim deri në konfiskimin e plotë të saj apo qoftë edhe revokimin .

Janë gjashtë institucione, që me krijimin e këtij regjistri do të kenë akses në të dhënat e pasurive të krimit, të cilat do ta kenë më të lehtë të koordinohen mes tyre; Ministria e Brendshme, Të autorizuarit e Prokurorisë së Përgjithshme; Prokuroria e Posaçme; Të autorizuarit e ministrit përgjegjës për drejtësinë; Të autorizuarit e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave; si dhe Drejtoria e Shërbimit Informativ të Shtetit. Megjithatë, vendimi i qeverisë thotë, që këto institucione krahas marrjes së informacioneve nuk do të kenë të drejtën e ndërhyrjen në regjistër për të bërë ndryshime.

Vendimi i qeverisë për krijimin e këtij regjistri me pronat e krimit, vjen paralelisht me paketën AntiKÇK. Regjistri do të mbahet nga Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara, e cila këtë vit kaloi nga Ministria e Financave në varësi të Ministrisë së Brendshme.

 

Top Channel