Nga Liesl Schillinger
Zakonisht një pyetje si kjo është teorike: Si do të ishte gjendja nëse do ta shihje qytetin, shtetin, vendin tënd të mbyllur nga pjesa tjetër e botës, qytetarët e izoluar në shtëpi, pasi po përhapet një sëmundje ngjitëse, e cila po infekton mijëra njerëz, dhe po detyron mijëra të tjerë të rrinë në karantinë? Si do ta përballonit nëse një epidemi ju prish rutinën e jetës së përditshme, mbyll shkollat, mbingarkon spitalet, ndalon grumbullimet e mëdha shoqërore, ngjarjet sportive, koncertet, konferencat, festivalet dhe planet e udhëtimit për një kohë të pacaktuar? Në vitin 1947, kur ishte 34 vjeç, Albert Kamy, shkrimtari francez me origjinë algjeriane (Çmimin Nobel për Letërsi do ta fitonte dhjetë vjet më vonë, dhe tre vjet më pas do të vdiste në një aksident automobilistik) dha një përgjigje befasuese, të hollësishme dhe ndriçuese për këto pyetje në romanin “Murtaja”. Libri jep një kronikë të shfaqjes së papritur dhe largimit të ngadaltë të shpërthimit imagjinar të murtajës bubonike në qytetin algjerian bregdetar të Oranit në prill, diku në vitet 1940. Sapo përhapet epidemia, ajo zgjat, duke rrënuar jetët dhe mendjet e banorëve të qytetit deri në shkurtin e ardhshëm, kur largohet po aq papritur dhe pa kuptuar siç erdhi, “duke u tërhequr rrëshqanthi mbrapsht në fashën e territ nga e cila ishte shfaqur tinëzisht”.
Pavarësisht nëse e keni lexuar apo jo romanin, “Murtaja” kërkon lexim ose rilexim, në këtë kohë të tensionuar kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa virusi i ri, COVID-19, i njohur gjerësisht si Koronavirusi, po pushton globin. Qëkur u shfaq Koronavirusi në fund të vitit të kaluar në qytetin kinez Wuhan, sëmundja ka marshuar, duke pushtuar më shumë se njëqind vende, duke përhapur panik tek popullata, tregjet financiare dhe duke vendosur në vetëveçim (karantinë) qytete, zona dhe një vend të tërë si Italia. Këtë javë, vendet e punës, shkollat dhe kolegjet janë mbyllur ose kanë kaluar online në shumë qytete amerikane; organizimet publike janë anuluar dhe udhëtimet jo thelbësore janë ndaluar. Epidemia ka kaluar në pandemi. Kështu mund të keni më shumë kohë se zakonisht për për të lexuar. Romani i Kamy-s fiton rëndësi dhe nevojë rileximi në këtë gjendje të re ashtu si dhe na bën të nxjerrim edhe disa mësime. Para se të merrni këtë libër, mos kini asnjë dyshim, se sado i frikshëm të jetë Koronavirusi, ai nuk krahasohet fare me aftësinë shkatërruese të murtajës së Kamy-se. Në shekullin XIV, murtaja bubonike, e njohur edhe si “Vdekja e zezë” vrau gati një të tretën e njerëzve në kontinentin e Evropës. Kur pushtoi Londrën në vitet 1656 dhe 1657, ajo vrau pothuajse çerekun e popullsisë. Në rast se nuk e dini, murtaja bubonike ekziston edhe sot, jo vetëm në xhepa të Azisë dhe Afrikës, por në Jugperëndimin Amerikan. E transmetojnë pleshtat nga brejtësit e infektuar dhe shkakton ethe të shumta, të vjella dhe flluska të dhimbshme të quajtura “buboes” (nga rrjedh cilësori “bubonike”). Edhe kur trajtohet me antibiotikë, ka një mesatare vdekjeje prej 10 përqind, dhe nëse nuk trajtohet, deri në 90 përqind. Koronavirusi nuk është shumë larg kësaj. Kur Kamy e shkroi romanin, në Oran s’kishte epidemi ose murtajë. Megjithate, murtaja e kishte rrënuar qytetin në shekullin e 16-të dhe të 17-të. (Pati një shpërthim epidemie një mujore në Oran edhe në 2003). Por ndërsa “Murtaja” në mënyrë mjaft klinike dhe të drejtpërdrejtë përcjell simptomat dhe pasojat e kësaj sëmundjeje, bacili nën thjerrëzën e autorit nuk është aq fiziologjik se sa sociologjik, dhe filozofik. Edhe pse romani gjurmon përparimin e një virusi të veçantë në një qytet, vend dhe hark kohor të veçantë, tema e vërtetë e Kamy-se shkon përtej kohës dhe vendit. Qëllimi i tij është metaforik: murtaja mishëron çdo sëmundje ngjitëse që mund të pushtojë çdo shoqëri; duke nisur nga sëmundje të tilla si kolera, gripi Spanjoll, SIDA, SARS, ose, edhe Koronavirusi tek ideologjitë gërryese si fashizmi, apo totalitarizmi, të cilët mund të infektojnë një popullatë të tërë. Kamy kishte parë si nazistët pushtuan Parisin në vitin 1940 gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa po shkruante romanin “Murtaja”, ai ishte kryeredaktori i “Lufto”, revista ilegale e rezistencës franceze, ku botonin André Malraux, Jean-Paul Sartre dhe Raymond Aron. Ai pa një lidhje midis infeksionit fizik dhe psikologjik, të cilin libri i tij i bën njësh. Në fillim të historisë, minjtë mësyjnë që nga hijet e Oranit, së pari një nga një, pastaj në “tufa”, duke ngordhur në mënyrë groteske në sheshe ose në rrugë. I pari që ka hasur në këtë dukuri është Rieux, një mjek vendas, i cili thërret portierin e tij, Mishelin, për t’u marrë me këtë telash dhe tronditet kur ai pushtohet më shumë nga “zemërata”, se sa neveria. Misheli është i bindur që “shejtanët” e rinj duhet të kenë përhapur parazitë në sallon si rreng ndaj tij. Ashtu si Misheli, shumica e qytetarëve të Oranit e keqinterpretojnë mësymjen e “shenjave të çuditshme orgurzeza”, duke mos rrokur një domenthënie më të madhe. Për pak kohë, veprimi i vetëm që bëjnë është denoncimi i departamentit të higjenës publike dhe ankesa tek autoritetet vendore. “Në këtë drejtim, qytetarët ishin të gjithë të mbyllur në guaskën e tyre” përsiat rrëfimtari. “Ata ishin humanistë: nuk besuan tek përhapja e murtajës”. Kamy tregon se sa e lehtë është ta ngatërrosh gabimisht një epidemi me një telash të bezdisshëm. Por më pas Misheli sëmuret dhe vdes. Ndërsa Rieux po e mjekon, ai dallon shenjat e murtajës, por në fillim e bind veten se “publiku nuk duhet të shqetësohet, kurrsesi s’duhet bërë”. Burokratët e Oranit pajtohen me të. Prefekti (pozitë barasvlerëse me të kryetarit ose guvernatorit në Algjerinë koloniale) “personalisht ka bindjen se ky është alarm i rremë”. Një burokrat i nivelit të ulët, Rikardi, këmbëngul se sëmundja nuk duhet të identifikohet zyrtarisht si murtajë, por duhet të përmendet thjesht si “një lloj i veçantë etheje” por ndërsa ritmi dhe numri i vdekjeve rritet, Rieux e hedh poshtë këtë fjalë të butë, dhe drejtuesit e qytetit janë të detyruar të marrin masa. Autoritetet kanë përgjegjësi që e zvogëlojnë shkallën e kërcënimit nga një epidemi, nënkupton Kamy, deri në pikën kur provat bëhen të pamohueshme sepse nënvlerësimi i reagimit të menjëhershëm është me i rrezikshëm se sa reagimi i tepërt. Shumica e njerëzve kanë prirje të nënvlerësojnë, shkruan ai, dhe kjo është një dobësi universale njerëzore: “Të gjithë e dinë që murtajat shfaqen herë pas here në botë, megjithatë e kemi të vështirë ta besojmë se një ditë të bukur me qiell blu ajo na bie mbi krye”. Shumë shpejt portat e qytetit mbyllen dhe vetëveçimi bëhet i detyrueshëm, duke i veçuar banorët e Oranit nga njëri-tjetri dhe nga bota e jashtme. “Gjëja e parë që murtaja solli në qytetin tonë ishte mërgimi i detyruar”, vëren rrëfimtari. Një gazetar i quajtur Rambert, i ngecur në Oran pasi portat u mbyllën, i lutet Rieux-it për një çertifikatë shëndetësore, në mënyrë që të kthehet teg gruaja në Paris, por Rieux nuk e ndihmon dot. “Ka mijëra njerëz të mbetur si ti në këtë qytet”, – thotë ai. Ashtu si Ramberti, qytetarët shpejti arrijnë të kuptojnë kotësinë e telasheve të tyre vetjake, sepse murtaja fshin “veçantinë e jetës së secilit njeri” edh shton në vetëdijen e secilit individ ndjenjën e dobësisë dhe pafuqisë për të bërë plane për të ardhmen. Fatkeqësia është kolektive: “dhimbja që normalisht ndjen individi kur ndahet papritur nga njerëzit e tij të dashur u bë një ndjenjë që po e përjetonin të gjithë njësoj”, shkruan Kamy. Kjo dhimbje, së bashku me frikën, kthehet në “pikëllimin më të madh të periudhës së gjatë të mërgimit që duket sikur s’mbaron”. Kushdo që kohët e fundit është detyruar të anuloj një udhëtim pune, orët e mësimit, festë, darkë, pushimet ose takimin me një njeri të dashur, mund të ndiejë drejtësinë e asaj që thekson Kamy, pasojave emocionale të një kohe murtaje: ndjenjën e izolimit, frikën dhe humbjen e instiktit të veprimit. Është pikërisht kjo, “ajo që një historian i zakonshëm nuk vë re”, dhe që ky roman e pasqyron, gjë të cilën Koronavirusi po shkakton në jetën e tanishme qytetare.
Nëse e keni lexuar “Murtaja” shumë kohë më parë, ndoshta si lexim i detyruar klase në universitet, ka të ngjarë të jeni tronditur më shumë nga vuajtjet fizike që rrëfimtari i Kamys përshkruan me gjakftohtësi por me përpikmëri. Ndoshta i keni kushtuar më shumë vëmendje llojeve të flluskave dhe gropave të gëlqeres se sa përshkrimit të rrëfimtarit për “Ngazëllimin e ethshëm” të njerëzve të thjeshtë të zënë në kurth nga flluskat e epidemisë, të cilët luftonin ndjenjën e izolimit duke u veshur dhe dalë jashtë kot së koti nëpër shëtitoret e Oranit; duke shkuar rregullisht ne restorante, të gatshëm për t’ia mbathur nëse sëmurej kush gjatë darkës, “të mbërthyer nga dëshira e furishme për jetën që lulëzon në zemrën e çdo fatkeqësie të madhe” ngushëllimi i vetëm i bashkësisë njerëzore. Banorët e qytetit të Oranit nuk kishin mbështetjen që kanë qytetarët global, në çfarëdo qyteti sot, për të krijuar një bashkësi në realitetin virtual. Ndërsa epidemia e Koronavirusit përhapet në këtë epokë digjitale, ajo krijon një filtër të ri, të gjallë në vizionin e mprehtë të Kamy-se për sfondin emocional të përhapjes së sëmundjes ngjitëse. Sot, mërgimi i detyruar dhe izolimi që përshkruan “Murtaja” po shfaqin dritëhijet dhe karakteristikat e tyre, duke ia shtuar ngjyresat portretit të kësaj gjendje njerëzore që ka bërë Kamy. Ndërsa ecim në rrugë, shkojmë të blejmë artikuj ushqimor, ne u përshtatemi në mënyrë të vetvetishme sjelljeve parandaluese që rekomandojnë mediat sociale: larjen e duarve, ngritjen e supeve me keqardhje dhe duke rrudhur buzët në vend të shtrëngimit të duarve dhe ushtrimit të “largimit shoqëror”.
Mund të punojmë në largësi për të mos infektuar të tjerët ose që të mos infektohemi, mund të shmangim festat, koncertet, restorantet, dhe të porosisim blerje onlajn, por për sa kohë? Kamy e dinte përgjigjen: ne s’mund ta dimë. Ashtu si burrat dhe gratë që jetuan në një kohë të ndërprerjes së rrjedhës së zakonshme të jetës gati një shekull më parë, të cilën Kamy e përfytyroi sërish për të shembullzuar temën e tij të pavdekshme, gjithçka që mund të dimë është se kjo ndërprerje e rrjedhës së jetës tonë sot nuk do të zgjasë përgjithmonë. Do të mbaroj, “vetvetiu” kur të dojë. Dhe po ashtu një ditë, një tjetër do të shfaqet. Dhe kur rishfaqen, romani i Kamys na paralajmëroi shumë kohë më parë dhe na tregon edhe më qartë tani, se duhet të tregojmë kujdes t’i lexojmë saktë “shenjat e para të çuditshme”. “Ka pasur gjatë historisë po aq murtaja sa edhe luftëra”, shkruan Kamy, “megjithatë, gjithmonë murtajat dhe luftërat i zënë njerëzit po njëlloj në befasi”.
Revista letrare “LitHub”
Përktheu: Granit Zela
Top Channel