Ish-presidenti i SHBA, Donald Trump

Demokrati Joe Biden është shpallur president I zgjedhur I Amerikës, por Donald Trump nuk është dorëzuar ende dhe po planifikon sfida ligjore ndaj rezultateve në disa shtete kyçe.

Avokati I tij Rudy Giuliani i tha Fox News se do të ishte e gabuar për Trumpin të pranonte humbjen sepse sipas juristit, ka dëshmi të forta se zgjedhejt në të paktën tre apo katër shtete, e ndoshta edhe 10 sipas tij, janë vjedhur.

Fushata e Trumpit ende nuk ka treguar prova të tilla të padiskutueshme, megjithatë sot planifikon të nisë procese gjyqësore në disa shtete. Duke filluar me Pensilvaninë, ku republikanët ankohen se nuk kanë pasur qasje në vëzhgimin e numërimit. Për sa kohë regjistrohen përpara ditës së votimit normalisht, prania e vëzhguesve lejohet në shumicën e shteteve amerikane me qëllimin të ketë transparencë të procesit.

Në disa zona këtë vit, pati kufizime që përpara ditës së zgjedhjeve për shkak edhe të pandemisë së koronavirusit. Në Filadelfia, perimetri I vendosur në vendin e numërimit të votave ishte 6 metra, gjithmonë për shkak të Covid 19, por kjo u kundërshtua dhe një gjykatës urdhëroi që ai të shkonte ne 1.8 metra në mënyrë që vëzhguesit të kishin mundësi të shikonin më qartë.

Fushata e Trumpit pretendon se urdhri në fjalë, është shkelur në këtë shtet, dhe numëruesit I kanë larguar më shumë. Në Michigan ku fitoi në 2016-tën, Trump këtë radhë humbi përballë Joe Biden. Edhe këtu, presidenti republikan pretendon se vëzhguesit republikanë nuk kanë pasur akses të mjaftueshëm për të ndjekur procesin e numërimit.

Ekipi I tij kërkoi rinumërim edhe në Wisconsin, bazuar në anomali të vëna re ditën e  zgjedhjeve, ndërkohë që nuk dihet se kur do të zhvillohet rinumërimi. Afati I fundit I shtetit për këtë është 17 nëntori. Nisma të ngjashme ligjore Trumpi ka përgatitur edhe në Nevada, Georgia dhe Arizona, ku thuhet se janë refuzuar disa vota të ligjshme.

 

Top Channel