Biden nis punën/ Me task forcë kundër Covid-19 

09/11/2020 10:27
Presidenti i SHBA, Joe Biden

Presidenti I zgjedhur I Shteteve te Bashkuara, Joe Biden do ta kthejë pandeminë e koronavirusit në prioritetin e tij pas fitores mbid Donald Trumpin.

Duke njoftuar hapat e parë të planit të tij të tranzicionit, ekipi I Bidenit tha se do të ketë më shumë testime dhe se amerikanëve do t`u kërkohet të mbajnë maska. Shumë shpejt, demokrati pritet të caktojë task forcë-n e vet 12 anëtareshe të koronavirusit.

Edhe pse Trumpi ende nuk e ka shpallur humbjen dhe në disa shtete kyçe numërimi nuk ka përfunduar, Bideni po ecën përpara me planet për të marrë pushtetin në janar. Kjo pasi rrjetet e mëdha televizive amerikane njoftuan me shifra triumfin e tij të shtunën.

Në situatën aktuale, Biden mund të lëshojë disa urdhra ekzekutivë, urdhra këto me shkrim të nxjerra nga presidenti për qeverinë federale të cilat nuk kanë nevojë për miratimin e kongresit, e që synojnë përmbysjen e shumë politikave të Trumpit. Kështu demokrati ka ndërmend të anulojë urdhëresën për ndalimin e udhëtarëve thuajse nga të gjitha vendet me shumicë myslimane dhe të riaktivizojë programin që lejon qëndrimin në vend të të rinjve të sjellë në SHBA në mënyrë të paligjshme nga vende të tjera si të mitur të pashoqëruar nga prindër.

Ai synon po kështu të rikthejë vendin në marrëveshjen ndërkombëtare për të kufizuar ambiciet bërthamore të Iranit. Administrata Trump e tërhoqi Amerikën nga marrëveshja.

Raportet në media tregojnë se ka ndasi edhe mes vetë republikanëve më në zë mbi mënyrën e reagimit ndaj fitores të Bidenit. Disa kanë refuzuar ta njohin publikisht rezultatin e votimit. Lideri i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve Kevin McCarthy, tha se të gjithë rinumërimet dhe sfidat ligjore duhet të mbyllen. “ Vetëm atëherë, u shpreh ai, Amerika do të vendosë së kush e fitoi garën”.

Ndërkohë, ish presidenti amerikan George W Bush e uroi Joe Bidenin për fitoren, duke thënë se populli amerikan mund të kishte besim se zgjedhjet kanë qenë të ndershme dhe rezultati I tyre, I qartë.

 

 

Top Channel