Në kryeqytetin Uashington, ndërsa përhapej lajmi për fitoren e kandidatit demokrat Joe Biden, kudo filluan të dëgjohen brohoritje dhe duartrokitje. Shumë njerëz u binin borive të makinave në rrugët kryesore, të tjerë kishin dalë në ballkone dhe bënin zhurmë duke u rënë enëve të kuzhinës. Zhurma bëhej gjithnjë e më e fortë sa më shumë njerëz mësonin lajmin. Disa qanin. Të tjerë kishin ngritur muzikën me këngë si “We are the champions” (Ne jemi kampionët).
Mbështetësit e Presidentit Trump reaguan me zhgënjim dhe dyshim, duke theksuar detyrën e vështirë me të cilën përballet Biden për të bërë për vete shumë amerikanë në zonat rurale, të cilët besojnë se zoti Trump ishte presidenti i parë që qeverisi duke patur në zemër interesat e tyre.
Demonstrues të zemëruar pro-Trump, me parrullën “Ndal vjedhjes”, u mblodhën në ndërtesat e kapitolit të shteteve Miçigan, Pensilvani dhe Arizona. Protestuesit në Feniks brohorisnin “Duam auditime!” “Ne do të fitojmë në gjykatë!”
Nuk pati shenja dhune apo trazirash dhe protestat pro-Trump më pas u zbehën. Para ditës së zgjedhjeve, Presidenti Trump refuzoi të angazhohej në një transferim paqësor i pushtetit nëse humbiste dhe deklaroi fitore shumë më përpara se të mbaronte numërimi.
Top Channel