Biden priti 3 dekada për presidencën/ Në politikë prej gati gjysmë shekulli, tani president i SHBA

08/11/2020 01:35

Joe Biden është përpjekur prej tre dekadash të bëhej president. Tani, ëndrra e tij u bë realitet. Ai kishte gjithë çfarë duhej për të fituar, por a ka vallë qëndrueshmërinë që nevojitet për katër vite në Shtëpinë e Bardhë? Kur të bëjë betimin në 20 janar të vitit 2021, Biden do të jetë 78 vjeç, presidenti më i vjetër në histori në momentin e marrjes së postit.

Në vallen e politikës amerikane është prej gati gjysëm shekulli, me një karrierë të nisur që në kohë kur president ishte Richard Nixon. Vetëm se tek ky kandidat, mosha u kthye në asset. Në jetën e tij të gjatë, Joe Biden ka vuajtur më shumë nga sa u është dashur mjaft njerëzve të durojnë. Kjo ka bërë që mbështetësit të ndiejnë një simpati të madhe për të, sidomos në një kohë si kjo kur kombin e ka pllakosur dhimbja e vuajtjet prej pandemisë së Covid-19.

Miqtë thonë se forca e tij e karakterit, janë ato çfarë i nevojiten Amerikës sot. Joseph Biden u bë senatori i pestë më i ri në historinë e Shteteve të Bashkuara në vitin 1972. Vetë pak javë pas kësaj, u godit nga tragjedia: e shoqja Neilia dhe vajza një vjeçe, Naomi vdiqën në një aksident me makinë ku mbetën të plagosur keqas edhe dy djemtë e çiftit, Hunter dhe Beau.

Por aftësinë e tij për tu ngritur mbi fatkeqësinë, amerikanët e njohin tashmë. Merrte çdo ditë trenin ndërmjet Delware-t dhe Washington DC për t`i thënë takuar djemtë para se të flinin që t`u thoshte natën e mirë. Atje ku të tjerët do t`i ishin dorëzuar dhimbjes, ai gjeti forcën të ecte përpara, edhe pse jeta i kishte rezervuar dhe telashe të tjera. Pas një aneurizmi të rëndë në 1988-tën, arriti t’i mbijetonte një operacioni 9 orë të gjatë.

Më pas, në 2015-tën, njëri prej djemve të cilëve u ishte përkushtuar aq shumë, Beau, ndërroi jetë nga kanceri në moshën 46 vjeçare. Goditja që mori atëherë ishte një nga arsyet që e shtyu të mos garonte asokohe kundër Trumpit. Kujton gjithmonë fjalët e të atit: “ Kampion, një njeri nuk matet me sa herë rrëzohet në tokë, por sa shpejt ngrihet përsëri në këmbë”. Kjo me sa duket, do të jetë edhe deviza e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA