Votuesit amerikanë vendosin të martën, më 3 nëntor, nëse do t’ia japin mundësinë për të udhëhequr Shtëpinë e Bardhë, presidentit aktual, Donald Trump apo ish-nënpresidentit Joe Biden.

Kontrolli i Senatit po ashtu është në garë, ashtu sikurse ulëset në Dhomën e Përfaqësuesve.

Një mori ndryshimesh tjera ligjore do të hidhen në votim.

Zgjedhjet e vitit 2020 janë parë në shumë mënyra: të jashtëzakonshme, të pashembullta, të çuditshme.

Të gjitha mund të jenë të vërteta në një mënyrë, ndonëse ato vazhdojnë të mbahen të martën e parë, pas të hënës së parë të nëntorit, dhe një demokrat apo republikan do t’i fitojë ato.

Por, dallimet nisin duke përmendur faktin se kjo është hera e parë që një grua me ngjyrë është nominuar nga një parti e madhe për pozitën e nën-presidentes.

Kjo është po ashtu hera e parë që të nominuarit për president janë në të 70-at e tyre.

Këto zgjedhje presidenciale madje janë të parat që po zhvillohen teksa pandemia vdekjeprurëse e koronavirusit ka prekur secilën pjesë të Shteteve të Bashkuara.

Zgjedhjet e vitit 1918 për Kongres, të mbajtura gjatë kohës së pandemisë së Gripit Spanjoll, kanë rezultuar me ulje të shkallës së votimit për 20 për qind – ndonëse edhe fakti që më shumë se 2 milionë burra kanë luftuar në Luftën e Parë Botërore po ashtu ka pasur ndikim.

Deri në kohën kur republikani, Warren G. Harding ka fituar zgjedhjet e vitit 1920, pandemia ka kaluar.

Këtë vit, pandemia ka nxitur shkallë të paparë të votimeve të hershme, qofshin përmes postës, apo në ndonjë mënyrë tjetër, si dhe ka rritur pritshmëritë që ditë apo javë mund të kalojnë, para se të dihen rezultatet.

Meqë tek amerikanët tashmë është bërë zakon publikimi i rezultateve në natën e zgjedhjeve, një shtyrje eventuale do të ishte e pashembullt.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden ka kohë që kanë nisur garën drejt Shtëpisë së Bardhë.

Ish-nënpresidenti amerikan është konkurrues në disa shtete që konsiderohen kyçe, dhe të cilat i ka fituar Trump më 2016, përfshirë Xhorxhian dhe Arizonan.

Trump, në anën tjetër, mund të fitojë duke ruajtur territorin në të cilin ka fituar më 2016, ndonëse shpresat e tij për rizgjedhje varen nga fitoret në shtetet si Florida dhe Pensilvania.

Sondazhet e opinionit publik e nxjerrin Bidenin përpara Trumpit në nivel kombëtar me së paku 8 për qind, por ai ka një avantazh më të ngushtë në disa shtete, që potencialisht i japin Trumpit votat e nevojshme për të fituar Kolegjin Zgjedhor, i cili e përcakton fituesin.

Pse ekziston Kolegji Elektoral?

Të 538 anëtarët e Kolegjit Elektoral në Shtetet e Bashkuara mblidhen në kryeqytetet e tyre respektive çdo katër vjet, pas mbajtjes së zgjedhjeve, ashtu që të shpallin fituesin.

Një kandidat presidencial duhet të fitojë një shumicë absolute të votës së Kolegjit – apo 270 vota nga 538 – për të fituar.

Ky sistem është krijuar bashkë me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara më 1787.

Krijuesit e shtetit amerikan e kanë konsideruar këtë sistem si kompromis në mes të të zgjedhurit të presidentit në mënyrë direkte dhe të zgjedhurit përmes anëtarëve të Kongresit – qasje që janë refuzuar dhe janë konsideruar jomjaftueshëm demokratike.

Që atëherë, qindra amendamente janë propozuar në Kongres, me qëllim të ndryshimit apo zhbërjes së Kolegjit Elektoral, mirëpo asnjëra nuk ka rezultuar me sukses.

Kush janë 538 personat që votojnë?

Shumica e këtyre personave janë zyrtarë të zgjedhur në rrafshin lokal, ose liderë partish, mirëpo emrat e tyre nuk shfaqen në fletëvotime, dhe identitetet e tyre kryesisht janë të panjohura për votuesit.

Secili shtet ka aq përfaqësues sa ka në Dhomën e Përfaqësuese dhe Senat, dy dhomat e Kongresit amerikan.

Kalifornia, shembull, ka 55 përfaqësues, Teksasi 38, derisa Alaska, Delauere, Vermont dhe Uajoming kanë nga tre secila prej tyre.

Kushtetuta e lë në dorën e shteteve që të zgjedhin sesi do të votojnë përfaqësuesit.

Në secilin shtet, përveç Nebraskas dhe Maines, kandidati që fiton shumicën e votës popullore, në teori, fiton të gjitha votat e përfaqësuesve të një shteti.

Trup kontrovers

Në nëntor të vitit 2016, Trump ka fituar 306 vota elektorale. Të indinjuar, miliona amerikanë patën nënshkruar një peticion, duke u bërë thirrje përfaqësuesve republikanë që ta bllokojnë zgjedhjen e tij.

Mirëpo këto përpjekje kanë dështuar, meqë dy përfaqësues në Teksas, i kanë dhënë atij votat përfundimtare, apo 304 në total.

Republikanët e kanë parë këtë përpjekje si të dëshpëruar nga aktivistët që refuzojnë të pranojnë humbjen.Situata e jashtëzakonshme e vitit 2016, që nënkupton se humbja e votës popullore nuk do të thotë humbje në garë, nuk ka qenë e pashembullt.

Pesë president janë ngritur në detyrë në këtë mënyrë.

John Quincy Adams ka qenë i pari më 1824 kundër Andrew Jackson.

Së fundmi, në zgjedhjet e vitit 2000, rezultati zgjedhor është bllokuar në Florida në mes të George W. Bushit dhe demokratit Al Gore.

Gore ka fituar gati 500,000 vota më shumë në nivel kombëtar, mirëpo Floridën e ka fituar Bush, që ka rezultuar me fitoren e këtij të fundit me 271 vota.

Votë e vërtetë apo formalitet i thjeshtë?

Asgjë në Kushtetutë nuk i obligon përfaqësuesit të votojnë në një mënyrë apo tjetrën.

Nëse një shtet u kërkon atyre të respektojnë votën popullore, dhe ata nuk e bëjnë një gjë të tillë, të ashtuquajturit “përfaqësues të pabesë”, bëhen subjekte të një gjobe të thjeshtë.

Mirëpo në korrik të vitit 2020, Gjykata Supreme në Shtetet e Bashkuara ka vendosur që shtetet të vendosin ndëshkime ndaj votuesve jobesnikë, duke krijuar ligje që detyrojnë përfaqësuesit e një shteti që të votojnë sipas rezultatit të votës popullore.

Në periudhën 1796-2016, rreth 180 përfaqësues zgjedhorë kanë votuar në kundërshtim me presidentin apo nën-presidentin që ka fituar në shtetin e tyre.

Mirëpo përfaqësuesit e pabesë nuk kanë qenë vendimtarë për rezultatin përfundimtar.

Përfaqësuesit do të mblidhen në shtetet e tyre më 14 dhjetor dhe do të votojnë për presidentin dhe nënpresidentin.

Pse kjo datë?

Ligji amerikan thotë se ata “takohen dhe votojnë në të hënën e parë, pas të mërkurës së dytë të dhjetorit”.

Më 6 janar të vitit 2021, Kongresi do të certifikojë fituesin, i cili bën betimin më 20 janar./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA