Amerikanët votojnë sot në një nga zgjedhjet presidenciale më të polemizuara në dekada me presidentin aktual republikan, Donald Trump, përballë sfidantit të tij demokrat, Joe Biden.
I pari që nis votimin, në orën 10.00 sipas orës së Grinuiçit është Vermonti. Rreth 100 milionë njerëz ndërkohë kanë votuar në zgjedhjet e hershme, duke e vënë vendin në kurs për pjesëmarrjen më të lartë në një shekull. Të dy rivalët i kaluan orët e fundit të garës duke bërë fushatë në shtetet kyce. Të hënën, presidenti Trump është ndalur në një seri shtetesh që konsiderohen fushëbeteja. Në Karolinën e Veriut, ai u tha mbështetësve se viti i ardhshëm, do të jetë më i madhi për ekonominë e vendit në histori.
Ndërsa Biden, shkoi në Pensilvani, ku atij iu bashkua këngëtarja Lady Gaga, ndërsa këngëtari John Legend iu drejtua zgjedhësve përkrah kandidates për zëvendëspresidente të demokratëve, Kamala Harris.
Sondazhet në shkallë kombëtare i japin Biden një kryesim, por bëhet fjalë për një garë të ngushtë në shtetet që mund të përcaktojnë rezultatin. Në zgjedhjet në SHBA, votuesit vendosin garën në nivel shteti, por jo atë në shkallë kombëtare. Për t’u bërë president, një kandidat duhet të fitojë të paktën 270 vota të atyre që quhen kolegje elektorale. Çdo shtet amerikan merr një numër të caktuar votash, pjesërisht bazuar në popullatën e tij dhe ka në total 538 vota të kolegjeve elektorale në lojë. Ky sistem shpjegon përse është e mundur që një kandidat të fitojë më shumë vota në shkallë kombëtare, siç bëri në 2016 Hillari Klinton, por të humbasë në përfundim zgjedhjet.
Votimi i të martës vjen në mesin e pandemisë së koronavirusit. SHBA ka regjistruar më shumë raste dhe më shumë viktima se çdo vend tjetër në botë duke raportuar 84 mijë infektime të reja vetëm të hënën.
Top Channel