SHBA: Miami “nuk do të tolerojë” dhunë në Ditën e Zgjedhjeve

03/11/2020 22:57

Kryebashkiaku i qytetit Miami në Florida, Francis Suarez, ka deklaruar se qyteti që drejton ai nuk do të tolerojë asnjë akt dhune në Ditën e Zgjedhjeve.

Në llogarinë e tij në twitter, Suarez theksoi se qyteti i Miamit synon plotësisht të mbrojë të drejtën për të votuar në mënyrë të sigurt dhe se nuk do të tolerojnë asnjë akt dhune.

“Ne kemi rritur praninë e oficerëve në të gjithë qytetin dhe oficerë me veshje të thjeshtë janë vendosur në vendet e votimit për të garantuar një ambient mikpritës”, shkroi Suarez

Ndërkohë, sekretarja e shtetit Florida, Laurel Lee, për CNN tha se deri më tani asnjë rast sigurie nuk është raportuar gjatë procesit të votimit në këtë shtet amerikan.

Laurel tha se mund të ketë zona të izoluara në kontet Lake dhe Lee që kishin “disa sfida teknologjike këtë mëngjes”, duke shtuar se këto raste nuk do të pengojnë asnjë votues të hedh votën e tij.

Ajo po ashtu shtoi se bazat e të dhënave të shtetit “janë të sigurta” dhe se Garda Kombëtare është mobilizuar.

Në zgjedhjet e vitit 2016, presidenti Donald Trump fitoi në Florida duke grumbulluar 49 për qind të votave, respektivisht me një diferencë prej 1,2 për qind. Anketat tregojnë për një garë të ngushtë në këtë shtet amerikan midis Trumpit dhe kandidatit demokrat, Joe Biden./AA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA