Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, kanë thënë të hënën se situata epidemiologjike, si pasojë e pandemisë së koronavirusit, është serioze dhe ka mundësi të përkeqësimit.

Në një komunikatë për media të kryeministrisë, është thënë se në shifrat e fundit të të infektuarve në Kosovë tregojnë se aktualisht janë 120 persona të infektuar me koronavirus në 100,000 banorë.

Aty është thënë edhe se nuk përjashtohet mundësia e ashpërsimit të masave me qëllim të vënies nën kontroll të pandemisë.

Një ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka miratuar kufizimet e reja, me qëllim të frenimit të sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Ndër masat e reja është edhe kufizimi i orarit të punës për sektorin e gastronomisë dhe qendrave tregtare.

Ndalesa vlen nga ora 21:00 deri në orën 05:00.

Po ashtu, qytetarët mbi 65 vjeç do të kenë orar të caktuar të qarkullimit. Ata do të mund të lëvizin nga ora 06:00 deri në orën 10:00 dhe nga ora 16:00 deri në orën 19:00. Jashtë këtij orari, ata mund të dalin vetëm për nevoja shëndetësore.

Personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna janë liruar që të dalin në punë dhe punëdhënësit e tyre, sipas qeverisë, obligohen t’u krijojnë kushte për angazhimin e tyre online nga shtëpia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA