Presidenti amerikan, Donald Trump dhe demokrati, Joe Biden, kanë planifikuar organizime të fushatës me vetëm disa orë dallim në Florida, teksa të dy synojnë të fitojnë mbështetje në këtë shtet kyç për rezultatin përfundimtar.
Florida do t’i dhurojë 29 vota elektorale fituesit të më shumti votave në nivel shtetëror në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Trump dhe Biden do të paraqiten në qytetin Tampa të Floridas.
Presidenti amerikan do të organizojë marsh në ambient të hapur, ndërsa në takimin me Bidenin, përkrahësit e tij do të qëndrojnë në makina.
Stilet e ndryshme të fushatave kanë vazhduar për javë, meqë Trump vazhdimisht flet para turmave të mëdha dhe rrallë vendos maskën, siç rekomandojnë ekspertë shëndetësorë për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Biden, në anën tjetër, organizon takimet me shumë kujdes, dhe flet para grupeve që mbajnë distancë sociale dhe shpesh vendos maskën.
Një ditë më parë, Trump ka vazhduar fushatën e tij në Arizona, duke pretenduar fitore të thëllë.
“Do të jetë një valë e kuqe shumë e madhe”, ka thënë Trump, duke iu referuar ngjyrës së Partisë Republikane.
Biden ka qenë në Delauer, ku ai dhe gruaja e tij, Jill, do të votojnë.
Mundësinë e votimit të hershëm këtë herë në Shtetet e Bashkuara besohet ta kenë shfrytëzuar 75 milionë amerikanë, duke iu shmangur ekspozimit të koronavirusit në qendra të votimit më 3 nëntor.
Sipas një sondazhi të kryer nga Real Clear Politics, Biden udhëheq, mirëpo ka pikë të ngjashme me Trumpin në Florida.
Një kandidati i duhen 270 vota elektorale për të fituar Shtëpinë e Bardhë, të cilat nuk përcaktohen nga vota popullore por fitorja në shtetet individuale.
Numri i votave elektorale përcaktohet nga numri i popullsisë së një shteti.
Gati të gjitha shtetet amerikane i dhurojnë votat elektorale kandidatit që fiton me shumicë brenda shtetit.
Top Channel