“Një mbyllje e dytë do të ishte fatale”, Denaj: Projekt buxheti 2021 është projektuar mbi një skenar rimëkëmbje

28/10/2020 19:55

Zgjatja në kohë e pandemisë Covid-19 shieht si rreziku më i madh fiskal nga Financat për mosrealizimin e të ardhurave buxhetore për vitin e ardhshëm të planifikuara në nivelin e 478.9 miliardë lekësh.

Sipas kryefinancieres Anila Denaj, projekt buxheti 2021 është projektuar mbi një skenar rimëkëmbje dhe një mbyllje e dytë e vendit për të frenuar pandeminë do të rezultonte fatale për ekonominë. Kjo sipas saj do të detyronte ekzekutivin të pezullonte shpenzimet për projekte të caktuara.

“Buxheti është përgatitur jo për një situatë emergjente dhe një situatë e vështirë me pandeminë do të cënonte rritjen e të ardhurave. Ky risk vlerësojmë se mund të materializohet në vlerën e 10-12 miliardë lekëve nga total i rritur me mbi 40 miliardë lekë i të ardhurave.” tha Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Sipas të dhënave të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, me një skenar të tillë goditjen më të madhe në të ardhura mund ta japë reduktimi i pagesave për tatimet e kontributet me rreth 5-7 miliardë lekë më pak, rezultatet që do të deklarohen nga kompanitë në bilancet financiare në vlerën e -3 miliardë lekëve dhe shtyrja e pagës minimale minimale me -2 miliardë lekë.

Megjithatë, ministrja e Financave Anila Denaj ka deklaruar se plani ambicioz i qeverisë për rritjen e të ardhurave me 10.6% më shumë në 2021 do të realizohet nga administrimi më i mirë fiskal i tyre si dhe zbatimi i fiskalizimit.

Top Channel