Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, i shkroi letër shefit ekzekutiv të Facebook-ut, Mark Zuckerberg, duke i kërkuar ta ndalojë përmbajtjen islamofobe në rrjetin social.
Khan tha se “Islamofobia në rritje” inkurajon “urrejtjen, ekstremizmin dhe dhunën … veçanërisht përmes përdorimit të mediave sociale”. Letra vjen një ditë pasi Khan e akuzoi presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për “sulm ndaj Islamit”. Facebook-u tashmë ka një politikë të heqjes së gjuhës së urrejtjes nga platformat e tij.
Ai e përkufizon gjuhën e urrejtjes si “një sulm të drejtpërdrejtë ndaj njerëzve”, të bazuar në karakteristikat e mbrojtura, si: raca, etnia, origjina kombëtare dhe përkatësia fetare. Në letrën që Khan e publikoi në llogarinë e tij në Twitter, ai iu referua vendimit të fundit nga Facebook-u për të ndaluar çdo përmbajtje që e mohon ose shtrembëron Holokaustin.
Khan bëri thirrje që politika e ngjashme të vendoset edhe për komentet kundër Islamit. “Duke pasur parasysh abuzimin dhe poshtërimin e shfrenuar të myslimanëve në platformat e mediave sociale, unë do t’ju kërkoja të vendosni një ndalim për islamofobinë dhe urrejtjen kundër Islamit në Facebook, të ngjashëm me atë që keni vendosur për Holokaustin”, tha Khan.
“Mesazhet e urrejtjes duhet të ndalohen plotësisht”, theksoi ai. Të dielën, Khan akuzoi presidentin francez për “sulm mbi Islamin”. Ai i bëri komentet pasi Macron i bëri homazhe një mësuesi francez, i cili u vra me prerje koke, pasi i tregoi karikaturat e Profetit Muhamed në një orë mësimi. Macron tha se mësuesi “u vra sepse islamistët e duan të ardhmen tonë”, por Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat tona”. Në një postim në Twitter, Khan u përgjigj: “Është për keqardhje që [Macron] ka zgjedhur të inkurajojë islamofobinë, duke sulmuar Islamin dhe jo terroristët që kryejnë dhunë”./REL
Top Channel