Turqia anuloi pasditen e së hënës ,vetëm për datën 28 tetor ,festën kombëtare të Greqisë, Navtex-in e saj për stërvitje ushtarake të shpallur për datat 27-29 tetor në zonën detare në jug të ishujve grekë të Rodosit dhe në lindje të Karpathos.

Burimet qeveritare turke e konsiderojnë këtë veprim si një shprehje e vullnetit të mirë, ndërsa mediat greke flasin për një tërheqje të Ankarasë në një moment kur në Athinë u ndodh për vizitë ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili në konferencën e shtypit me homologun e tij grek , mes të tjerash ju referua edhe së drejtës së Greqisë për të zgjeruar ujërat e saj territoriale në lindje me 12 milje.

Sergei Lavrov, ministri i jashtëm i Rusisë: Lidhur me Mesdheun Lindor unë do të përsëris qëndrimin tonë. Ka shumë probleme në rajon. Sidomos në Mesdheun Juglindor. Ne besojmë se ato duhet të zgjidhen përmes së Drejtës Ndërkombëtare. Lidhur me nismat ruse, ju e dini që ka Konventa të tilla si Ligji i Detit dhe Traktate të tjera ndërkombëtare që duhet të respektohen plotësisht.

Nga ana e tij Nikos Dhendias e ka quajtur Turqinë faktor destabiliteti në rajon dhe ka deklaruar se Greqia është e gatshme për të përballuar gjithçka.

“Fatkeqësisht, në të gjitha zhvillimet rajonale, emëruesi i përbashkët është faktori destabilizues i Turqisë. Pretendimet e saj ekspansioniste neo-osmane. Brenda këtij konteksti, unë gjithashtu kam ngritur çështjen e garës ushtarake turke të armëve, duke shprehur shqetësimet tona se destabilizon të gjitha vendet në rajon”, tha ai.

Dendias ka dëgjuar me interes pozicionimet e Moskës për situatat në Libi dhe Siri, ndërsa kryediplomati rus ka takuar edhe kryeministrin grek Mitsotakis dhe kreun e opozitës Tsipras.

Edhe presidentja greke Sakelaropoulou ,nga Selaniku ku u ndodh me rastin e festës së shenjtit të qytetit, ka deklaruar se përballë provokimit turk , Greqia nuk do të heqë dorë kurrë nga të drejtat e saj sovrane dhe do të përdorë të gjitha armët e saj negociuese.

Presidentja e Republikës se Greqisë ka shprehur gjithashtu mbështetjen e saj të plotë ndaj homologut francez Emanuel Macron, objekt i sulmeve të retorikës ekstreme sipas saj, të Presidentit turk Rexhep Tayyip Erdogan.

Aleksandër Marku

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA